Në 20-vjetorin e rënies, përkujtohet Heroi i Kosovës, Ahmet Hoxha

Prishtinë | 21 Maj 2019 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Dhjetëra familjarë të dëshmorëve, drejtues të pushtetit lokal, të prirë nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, drejtorë komunal, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dega në Ferizaj, shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, drejtues e nxënës të shkollës që mban Heroit të Kosovës, Ahmet Hoxha dhe qytetarë, u mblodhën në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, aty ku pushon Heroi i Kosovës, Ahmet Hoxha në përvjetorin e 20 të rënies së tij heroike.

Duke nderuar Dëshmorët e Kombit, Heroin e Kosovës, Ahmet Hoxha, kreu shtetëror lokal dhe dhjetëra qytetarë vendosën kurora lulesh dhe u përkulën para varrit të Heroit të Kosovës Ahmet Hoxha.

Gafurr Bytyçi, Kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, tha se është e vështirë të përkufizohet heroizmi, virtytet dhe atdhedashuria e Ahmet Hoxhës, Heroit të Kosovës i cili 20 vjet më parë u vra bashkë me qindra të tjerë në Masakrën e Burgut të Dubravës.

“Njeriu edhe po të jetë sado i ditur, nuk mund të gjej fjalë për të folur për jetën dhe veprën e Ahmet Hoxhës. Një iluminist, patriot, trim e i guximshëm, i ditur, i jashtëzakonshëm, siç thotë populli i lindur me yll në ballë, i përkushtuar për kauzën dhe çështjen kombëtare, gjithmonë. Ahmet Hoxha vritet në mënyrën më makabre në Burgun e Dubravës. Sipas të drejtës që e kam studiuar edhe unë, të burgosurit e kanë jetën e garantuar në burg, sepse janë në kujdesin e shtetit e shtetit i Serbisë i ka vra afro 200 trima, iluministë kombëtar, të gjithë njerëz të mëdhenj të kombit, andaj jeta e Ahmetit, Enverit dhe atyre 170 njerëzve të vrarë në mënyrën me makabre na ka kushtuar shumë dhe na ka bërë të mendojmë a jemi duke e respektuar këta dëshmorë, këtë gjak apo jo. Unë për veten time dhe shumica e popullit jemi të vetëdijshëm se Kosova kurrë më e lirë nuk ka qenë, kurrë më e begatë nuk ka qenë sepse zvarrë në kurriz nuk e ka Serbinë dhe soldateskën serbe” tha Gafurr Bytyçi, Kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve.

I biri i Heroit të Kosovës, Ahmet Hoxha, Alban Hoxha tha se sot në 20 vjetorin e rënies së prindit të tij, familja ka ndjenjën e përzier, të dhembjes dhe krenarisë që është tregues se shumë familje dhanë më të dashurit e tyre, për lirinë e Kosovës.

“Sot është ndjenjë e përzier, normalisht është edhe e rëndë kur ke parasysh se sot 20 vjet babai ka rënë për lirinë e Kosovës që të gjithë e gëzojmë. Është një ditë shumë e vështirë për familjen por megjithatë edhe një tregues për shumë familje që edhe ky popull ka dhënë shumë për këtë ditë që sot po e gëzojmë dhe rrjedhimisht, pikërisht për gabimet e mëdha që ka bërë ky popull. Populli shqiptar meriton më shumë, për shkak të sakrificave të mëdha dhe shpresoj që çdo ditë do të bëhet mirë e më mirë, duke marr parasysh që është një ndjenjë e përzier edhe dhembje e krenarie” tha i biri i Heroit të Kosovës, Ahmet Hoxha, Alban Hoxha.

Ndërsa, në evokim të kujtimeve për Heroin e Kosovës, Ahmet Hoxha foli edhe bashkëveprimtari i tij, Sylejman Bytyçi. Ai tha se Heroi Ahmet Hoxha ishte pjesë e hierarkisë së lartë të aktivitetit ilegal, me obligime tejet të komplikuara dhe në shërbim direkt të Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
“Pikërisht sot është 20 vjetori i rënies heroike të tij. Kemi qenë së bashku të vendosur në Burgun e Dubravës dhe në datën e sotme, mjerisht, Ahmeti mbaroi misionin e këtij në këtë jetë. Duhet shumë për të folur për Ahmet Hoxhën sepse në kohën kur ai ka jetuar, ka vepruar, ka shërbyer kryesisht në mënyrë ilegale, kështu që nuk ka qenë adet të dal njeriu nëpër mëhalle dhe të thotë, bëra këtë, bëra këtë, por një jam i sigurt, me përgjegjësi e them se Ahmet Hoxha ka qenë në hierarkinë e lartë të çështjeve ilegale, ka pasur obligime tejet delikate, ka qenë në shërbim direkt të Komandantit Adem Jashari, po për këto nuk e shoh që janë regjistruar, por përkulem me respekt para emrit të tij, veprës së tij sepse me të vërtet ka qenë një njeri që ka dhënë shumë për lirinë e Kosovës. Më 21 maj të ’99-tës, serbët kishin përgatitur masakrën në Burgun e Dubravës. Mjerisht, sa shoh unë, nuk është marr kurrkush me rikonstruksionin e kësaj ngjarje. Sa di unë, e vetmja, Natasha Kandiqi i ka nxjerr nga harresa këtë rast dhe ka deklaruar, ka prova se ka qenë një masakër e përgatitur prej vet organeve të pushtetit. Në këtë rast, neve na mbetet vetëm të përkujtojmë heroizmin e Ahmet Hoxhës, i dimë momentet më të fundit të tij, por nuk kemi pas zgjedhje tjetër, prandaj fatkeqësisht sot duhet vetëm ta nderojmë, ta respektojmë, ata nuk kërkojnë shumë” tha bashkëveprimtari i Heroit të Kosovës, Ahmet Hoxha, Sylejman Bytyçi i cili evokoi kujtimet e tij për ditën e rënies heroike të Heroit të Kosovës, Ahmet Hoxha.

Me kurora lulesh dhe nderim institucional e qytetarë Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së, përfunduan homazhet në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së Heroit të Kosovës, Ahmet Hoxha.

Image may contain: 2 people, people standing, flower, plant, suit and outdoor


Image may contain: 1 person, standing and outdoor

Të ngjashme