Përmes një komunikate për media, ambasadorët e shteteve mike kanë nderuar të gjithë personat që humbën jetën në masakrën e Reçakut.
Njëzet e një vjet më parë, masakra që ndodhi në Reçak përfundimisht bëri që aleatët e NATO-s të ndërhyjnë dhe t’i japin fund një katastrofë humanitare.
Ata kanë shkruar se janë duke punuar për një të ardhme të paqes e drejtësisë për gjeneratat e ardhshme.
“Ne e nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetët në Reçak dhe masakrat e tjera në Kosovë dy dekada më pare, duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe mirëqenies për brezat e ardhshëm”, transmeton Ekonomia Online.
Andaj kërkojnë nga Qeveria e Kosovës dhe e Serbisë që të sigurojnë qasje të plotë të familjarëve të viktimave për fatin e tyre.
“Qeveria e Kosovës dhe qeveria e Serbisë duhet të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre kanë qasje të plotë në drejtësi dhe në informatat për fatin e më të dashurve të tyre. qytetarët e të gjitha etnive dhe besimeve ndjehen si në shtëpi dhe të lirë për të jetuar, punuar dhe besuar në paqe me fqinjët e tyre. Siç edhe thotë Deklarata e Pavarësisë së këtij vendi, Kosova është një vend “i përkushtuar për të përballuar trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës së fundit në një frymë pajtimi dhe faljeje. Të përkushtuar për mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e larmisë së popullit tonë.” Qëllimi ynë i përbashkët është të mbështesim vazhdimisht Kosovën në këtë rrugë”, thuhet me tutje në komunikatë.