Në 23-vjetorin e themelimit, AAK-ja cilësohet si parti shtetndërtuese

Prishtinë | 02 Maj 2023 | 19:29 | Nga Ekonomia Online

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shënuar të martën 23-vjetorin e themelimit të saj, me ç‘rast nga folës u vlerësua si parti shtetndërtuese, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësuesi i veteranëve të AAK-së, Mazllum Kumanova, tha se Aleanca ka pasur për qëllim shtetndërtimin e Kosovës si dhe kryetari i saj, Ramush Haradinaj para interesit personal e ka atë të atdheut.

“Më kujtohet si sot se burrat dhe gratë u bashkuan për të themeluar AAK-në para 23 viteve, nuk ishte kohë e lehtë, por synimi ishte për kontributin në politikë dhe kontributi për shtetndërtimin e Kosovës. Ramush Haradinaj para interesit personal e ka atdheun, Kosovën dhe qytetarëve të saj i duhet kjo parti dhe ky lider. Ramush mos u ndal”, tha ai.

Bleona Llugaliu, nga rinia e AAK-së, tha se Aleanca është trashëgimi e luftës dhe e shtetndërtimit.

“Aleancës i jam bashkuar kur ajo i kishte mbushur 22 vite, sot jam e nderuar që mund të drejtohem në këtë ngjarje madhështore. Kam pasur shumë ëndrra dhe synime. Vendosa të bëhem pjesë e AAK-së kjo për disa arsye, e para se Aleanca ishte trashëgimtare e luftës dhe shtetndërtimit, se në krye të saj ndodhet një politikan vizionar, ai është Ramush Haradinaj”, tha ajo.

Marqe Tanushi Selmanaj, përfaqësuese e grave në AAK, tha se duke ju përulur të rënëve për liri sot Aleanca feston 23-vjetorin e saj.

“Ëndrra jonë gjithëkombëtare ishte liria dhe pavarësia e Kosovës, duke ju përulur të rënëve sot Aleanca feston. Sot festojmë 23-vjetorin e Aleancës që lindi më lirinë e Kosovës. Aleanca do ta çojë vendin në drejtimin e duhur dhe Kosova do të jetë një vend shprese. Kosovës i duhet vetëm një udhëheqje, ajo e Aleancës ne krye me Ramush Haradinaj në udhëheqje”, tha ajo.

Ndërsa përfaqësuesi i kësaj partie nga diaspora, Ukë Blakaj, tha se AAK-ja në Gjermani ka themeluar 10 degë, teksa shtoi se diaspora është e përkushtuar për të ardhmen e Kosovës.

“Si diasporë jemi të përkushtuar për të ardhmen e këtij vendi. Krahas sukseseve, Aleanca po rritet e po fuqizohet si në vend edhe në Gjermani. Si rezultat i punës se Aleancës në Gjermani kemi formuar 10 degë dhe një numër të nëndegëve në vendet ku ka më shumë shqiptarë”, tha ai.

Në shënimin e 23-vjetorit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë marrë pjesë edhe kryetarë e deputetë të mazhorancës e të partive tjera opozitare, raporton Ekonomia Online.

Në mesin e mysafirëve ishte kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me disa deputetë të kësaj partie; nga partia në pushtet – Vetëvendosje ishte deputeti Artan Abrashi.

Po ashtu, të pranishëm ishin ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nocholas Abott; ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka e personalitete të tjera.

LEXO EDHE:

Të ngjashme