Liderë të partive politike, në përvjetorin e 27-të, kanë bërë homazhe në vendin ku u vranë dëshmorët Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.
Presidenti Hashim Thaçi, me këtë rast, në prani të familjarëve të dëshmorëve, ka vlerësuar lart kontributin e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, duke thënë se që të dytë paraqesin vlerat emblematike të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Afrimi dhe Fahriu kanë qenë të parët që filluan rezistencën e armatosur kundër ushtrisë dhe policisë serbe. Shteti Kosovës i nderon me empitetin më të lartë. Sakrifica, lufta dhe përpjekjet e tyre ishin stimulim dhe mesazh i bashkimit të të gjithë qytetarëve për liri dhe pavarësi për themelimin e UÇK-së, për luftën e armatosur dhe për për fitoren e shqiptarëve dhe largimin e Serbisë nga Kosova”, ka pohuar Thaçi.
Pas presidentit Thaçi, homazhe pranë vendit ku ranë Afrimi dhe Fahiru, bëri edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili dha idenë që në këtë vend të bëhet një memorial, ku do të shërbejë për gjeneratat e reja.
“Është nder të përkujtojmë dhe të përulemi para atyre që kanë menduar shumë më herët për neve se sa për vete. Presim që të bashkëpunojmë me familjet që ndoshta të bëjmë edhe një memorial të vogël në këtë vend, që edhe gjeneratat e reja të dinë edhe për dëshmorët tonë për ata që dhanë jetën që ne të jetojmë në liri”.
Homazhe kanë bërë edhe liderë tjerë të partive opozitare, por edhe qytetarë të shumtë.