Në 28-vjetorin e pavarësimit të futbollit të Kosovës, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka organizuar pritje për ish-kryetarët e kësaj federate dhe personalitetet që kontribuuan në futboll, raporton Ekonomia Online.
Ademi ka thënë se për federatën është datë e veçantë pasi u nda futbolli i Kosovës nga Federata e Jugosllavisë. Ademi falënderoi të gjithë ata që kontribuuan nga fillimi i ndarjes së futbollit.
“Me këtë datë është zhvillu ndeshja e parë në mes të Prishtinës dhe Flamurtarit, i kemi protagonistë dhe jam i lumtur që jemi këtu për të shënuar këtë datë. Mbajtja gjallë e këtij zinxhiri, do ta kishim më të vështirë organizimin e futbollit, i falënderoj të gjithë ata që me vetëfinancim i kanë mbajt klubet, falënderim i veçantë për të gjithë futbollistët që kanë luajt atëherë gratis pa asnjë të mirë, e kemi ditë të gjithë që ka qenë një pjesë e shtetësisë së atëhershme, delegat, referë e të gjithë”.
Agim Ademi njoftoi në këtë konferencë se do të krijohet një monografi për historinë e futbollit kosovar që nga fillimi për të gjithë ata që kontribuuan.
“Kjo datë do të jetë e shënuar dhe do të marrim masat, do të kemi shumë shpejt një monografi që do të quhet futbolli nëpër kohë, që secili që ka dhënë kontribut do të jetë i shënuar në atë monografi atë libër. Besoj që do të ecim me rezultate të mira dhe do të jemi në Evropë dhe do ta dëshmojmë tek FFIFA dhe UEFA se e kemi merituar pranimin”, tha ai.
Kryetari i parë i FFK-së, Agim Bytyqi, foli për kohën sa e udhëhiqte këtë federatë dhe falënderoi lojtarët që e kanë mbajtur gjallë futbollin.
“Pas 28 vjet kjo është një histori për sportin e Kosovës, kemi pasë vështirësi të ndryshme, por duke ju falënderuar lojërave kemi mbajt kemi jetësuar futbollin. Dhe politikën atëherë se futbolli me politikë nuk duhet të përzihet”.
Adem Çollaku, zëvendës i Rexhep Avdullahut- ish kryetar i FFK-së, foli për figurën e tij.
“Rexhep Avdullahu ka qenë një figurë, një njeri nacionalist që e ka dashtë kombin e vet dhe të gjitha përgjegjësitë i ka marrë mbi supe”.
Kryetari i FFK-së pasluftës, Sabri Hashani, tha se ndihet i entuziazmuar që puna e tyre e vështirë është kurorëzuar me pranim në UEFA dhe FIFA.
“Jam ndi i entuziazmuar që ajo punë e jona gradualisht me sakrificën e të gjithëve që e kanë ndi veten si kombas shqiptarë, unë jam një pjesë e atij suksesi u kurorëzua me pranimin në UEFA dhe FFIFA. I falënderoj të gjithë donatorët sepse nuk ka qenë e lehtë me i mbajt, por e finalizuam me kombëtaren e sotme” .
Agim Ademi e falënderoi veçanërisht Fadil Vokrrin për të gjitha të arriturat dhe tha se ai ka mundësuar që tash lojtarët tanë të luajnë në evropian.
“ Fadil Vokrri ka qenë i artë në Prishtinë, por i artë ka qenë në Federatën e Futbollit në kohën e tij është bë pranimi, dhe na ka mundësuar të shprehim talentin dhe dijen tonë, po u mundëson edhe lojtarëve të tregojnë talentin edhe në Evropë”, tha ai, raporton EO.
Ademi kryetarëve të mëparshëm u ndau mirënjohje për punën e tyre si shenjë falënderimi.