Në 47-vjetorin e themelimit, vlerësohet lart puna e UP-së

Prishtinë | 15 Shk 2017 | 13:29 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Universiteti i Prishtinës gjatë rrugëtimit gati gjysmë shekullor ka luajtur rol të rëndësishëm si në aspektin akademik ashtu edhe në atë kombëtar. Si i tillë do të mbetet edhe në të ardhmen si një promotor i zhvillimit të përgjithshëm shoqëror.

Kështu u tha me rastin e shënimit të 47 – vjetorit të themelimit të këtij universiteti, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ftoi të gjithë aktorët kryesorë që të angazhohet të gjithë së bashku me partneritet të plotë me studentët që të zhvillojnë edhe më tutje UP-në, të cilin e quajti promotor të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror, një institucion akademik kërkimor – shkencor, një institucion të respektuar.

Ai shprehu falënderime për të gjithë ata që kanë kontribuuar për këtë Universitet.

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës do të vazhdojnë mbështetjen e plotë në rrugëtimin e tij akademik në realizimin e plotë të autonomisë akademike dhe financiare në përshtatjen e nevojave të shekullit XXI në përshtatjen e nevojave të tregut të punës në stimulimin e veprimtarisë shkencore kërkimore si një veprimtari e pa ndashme e zhvillimit të universitetit. Trendi i ri që ka filluar në këtë Universitet do të vazhdojë”, tha Bajrami.

Rektori Marjan Dema tha se ky përvjetor është moment kur vlerësohet rëndësia meritat kontributet dhe vlerat e universitetit të Prishtinës në shoqërinë kosovare dhe më gjerë.

“Universiteti i Prishtinës po thuajse gjysmë shekulli e ka dhënë kontributin e vet për edukimin për zhvillimin dhe për liri Kombëtare”, tha ai.

UP-ja u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës më 18 nëntor 1969.

Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar.
Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë , më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Ditë e Universitetit të Prishtinës.

Të ngjashme