Instituti Albanologjik me rastin e 580-vjetorit të Kuvendit të Lezhës, ka promovuar librin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorëve shqiptarë (1480–2023)” nga autori Hysen Dizdari, raporton Ekonomia Online.
Në këtë promovim të librit ishin përfaqësues të familjeve të Hasan Prishtinës, Isa Boletini, Shaban Poluzhës e e të familjes së Idriz Seferit. Pjesëmarrës ishin edhe historianë të ndryshëm shqiptarë.
Drejtori i Fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet Prishtina, foli për autorin, për të cilin tha se ka kontribuar 10 vite për ta përfunduar këtë libër, së bashku me 50 autorë të ndryshëm.
“Autori Hysen Dizdari, është një autor unik i cili, me rastin e 580 vjetorit të Kuvendit te Lezhës, sot na sjelle veprën bibliografike “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Ai punoi më shumë se 10 vite në këtë libër duke trajtuar mbi 50 autor të ndryshëm të cilët kanë punuar bibliografi për jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, njeri nder ta është edhe Gjergji Prekazi i cili është autori i pare që ka shkruar me dy autor austriak bibliografinë e pare shqiptare, autor i cili pak njihet nder ne por që puna e tij është tejet e rëndësishme, pastaj edhe autori Dhimiter Shuteriqi dhe shume autor të tjerë”, tha Prishtina, duke përmendur edhe kontributin e heroit shqiptar kundër Perandorisë Otomane.
“Lufta heroike një çerekshekulli e Gjergj Kastriotit Skënderbeu kundër Perandorisë Otomane burimin e kishte te bashkimi ushtarak, financiar e krahinor i princërve shqiptarë që ndodhi më 2 mars 1444 në Lezhë. Në historiografinë shqiptare ky bashkim njihet si Besëlidhja Shqiptare e Lezhës, ose Kuvendi i Lezhës, i cili i vuri themelet e bashkërendimit dhe komunikimit brendashqiptar në suaza të një projekti shtetformues, e që do të bëhet realitet vetëm në 28 nëntor të vitit 1912. Por, pa Besëlidhjen Shqiptare të Lezhës, nuk do ta kishim as Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, as shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, sepse ngjizja e idesë shtetndërtuese të shqiptarëve që nga mesjeta e këndej duhej të kalonte nëpër disa faza konsolidimi”.
“Kuvendi i Lezhës ishte promoter i vetëdijes arbërore për sovranitet shtetëror, kurse Gjer Kastrioti Skënderbeu, si motivues kryesor i kësaj vetëdije, duke bashkuar rreth vetes gjithë princërit e Arbrit, me rezistencën e tij të lavdishme, demonstroi në praktikë aftësinë ushtarake të shqiptarëve, por edhe vizionin për një Shqipëri Evropiane, që do të shkëputej nga dominimi Otoman. Kjo qe edhe arsyeja pse këtë kauzë sublime të Skënderbeut e mbështeti edhe Papa, kurse Republika e Venedikut gjatë kohës sa mbahej Kuvendi i Lezhës, tregoi mirëkuptim të plotë, duke u bë edhe një zëdhënëse e këtij Kuvendi në opinionin publik Perëndimor.
“Nëse e vështrojmë Besëlidhjen Shqiptare të Lezhës nga perspektiva e sotme, do të vërejmë se ajo ka nevojë ende të jetë burim frymëzimi për shoqërinë shqiptare, e mbi të gjitha për klasën politike. Gjatë rrugëtimit tonë si komb nëpër terrenin e vështirë të historisë, kemi vërejtur se gjithmonë sukseset apo mossukseset tona janë varë nga shkalla e unitetit të brendshëm. Një komb që nuk arrin të flet me një zë për çështje madhore, shumë lehtë mund të bëhet pre e ambicieve grabitqare të të huajve. Shpesh here gjatë historisë, ne si komb e kemi paguar shumë shtrenjtë mungesën e unitetit, dhe vetëm mjafton të kujtojmë Lidhjen Shqiptare të Lezhës dhe efektet që pati ajo në epopenë luftarake të Skënderbeut, për të kuptuar më së miri se vetëm bashkimi rreth idealeve kombëtare e bën një popull rezistues kundrejt çdo furtune që vjen nga jashtë”.
E vetë autori i librit, Hysen Dizdari, tha se ky libër pa dritën e botimit me datën 28 Nëntor 2023 në vitin e jubilare të 580 vetorit të ngritjes së flamurit kombëtare shqiptare nga Gjergi Kastrioti – Skënderbeu ne Kalanë e Krujës dhe përmbledh mbi 500 vepra në fusha të ndryshme studimore.
Ai tha se kjo bibliografi fillon ne vitin 1480 dhe përfundon ne muajin shtator te vitin 2023.
“Objektivi themelor i kësaj bibliografie ishte përshkrimi i librave historike, librave letrare e artistike, biografive, albumeve, katalogëve te ndryshëm kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të shkruara në gjuhën shqipe dhe të huaj nga autore me etni dhe origjinë shqiptare, pavarësisht nga vendi ku jetojnë e punojnë kudo në të githë botën. Në përgatitjen për botim te kësaj bibliografie jam bazuar dhe mbështetur në standardet dhe rregullat përkatëse ndërkombëtarë te katalogimit, si në Standardet e Përshkrimit Bibliografik ISBD (International Standard biographic Description) dhe ne Rregullat Anglo-Amerikane të Katalogimit AACR2 (Anglo-American). Por, kam shfrytëzuar edhe përvojën pozitive ne hartimin dhe ne botimin e bibliografive te librit ship nga Bibliotekat Kombëtare ne Tirane, dhe në Prishtine”, tha ai.
“Gjatë punës për përgatitjen e kësaj bibliografie jam mbështetur ne te gjithë skedarët elektronike te bibliotekave shqiptare dhe të huaja dhe bibliografite e librit shqip të botuara nga Biblioteka Kombëtare Tiranë, nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës në Prishtinë, Biblioteka Kombëtare e Maqedonisë së Veriut në Shkup, por edhe ne hulumtime konkrete nëpër bibliotekat e universiteteve shqiptare ne Shqipëri, Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, Kroaci, Kalabri etj”, tha autori.
Ndërsa Profesori Univeristarë Bujar Dugolli tha se Gjergj Kastriot Skenderbeu, ishte simbol i guximit dhe udhëheqjes së shkëlqyeshme në historinë e Popullit Shqiptarë.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme në 580 vjetorin e Kuvendit Lezhës në Institutin Albanologjik ta shënojmë këtë datë të rëndësishme në historinë e popullit shqiptarë, një aktivitet të tillë kulturorë, sepse edhe sot pas 580 vite mesazhet e Kuvendit të Lezhës edhe vetë figura dhe veprimtarisë së heroit tonë kombëtar Skënderbeu.
Janë shumë evidente, pra Gjergji jonë Gjergj Kastriot Skënderbeu, ishte simbol i guximi, vendosmërisë, dhe udhëheqjes së shkëlqyeshme në historinë popullit shqiptarë.
Skënderbeu ishte simbol i rezistencës ndaj pushtuesve, duke shfaqure një karaktere të palëkundur në betejat kundër Perandorisë Osmane.
Ky heroi kombëtar i frymëzoi me një trashëgimi të lavdishme dhe vlera që vazhdojnë të frymëzojnë edhe sot e kësaj dite”.
Po ashtu Arianit Buqinca Studiues në Institutin Albanologjik tha që ky Libër përmbledh mbi 500 vepra nga fusha të ndryshme studimore, të shkruara prej autoreve shqiptaret, kushtuar Skënderbeut për periudhën kohore që nga viti 1940 deri në vitin e kaluar”.
Dhe në fund Fondacioni “Hasan Prishtina” falënderon Institutin Albanologjik për bashkëpunim.