Interesimi i bujqve nga Kosova për të mbjellë grurë ka rënë. Si pasojë, sipërfaqet e mbjella me grurë janë përgjysmuar gjatë gjashtë vjetëve të fundit. Gjatë vjeshtës së vitit të kaluar janë mbjellë vetëm 50 mijë hektarë tokë me farë gruri, për dallim nga viti 2012, gjatë së cilit ishin mbjellë 102 hektarë.
Si pasojë, sasia e grurit pritet të mos i përmbush kërkesat e popullsisë, përkundër se rendimenti është i lartë.
“Këtë vit rendimenti i grurit është 350 për qind ma i mirë se sa në vitin e kaluar. Vitin e kaluar kemi marrë rendimet 1500 kg dhe nuk ka qenë kualitet e këtë vit presim t’i marrim 6 tonë”, tregon një bujk nga komuna e Ferizajt, raporton tch.
Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë ta subvencionojë grurin me vlerën e njëjtë prej 150 euro për hektar, që në total i bie 6.6 milionë euro. Por problemi i vetëm për bujqit nuk mbetet vlera e subvencionimit. Ata thonë se rreziku më i madh është nga importi, pasi çdo vit nga vendet e rajonit vjen sasi e madhe e grurit çmimi i të cilit është nën vlerën e tregut.
“Prej importit rrezikohemi shumë, pasi prej tij mundet me ardh grurë prej lloj-lloj klase, mundet me ardhur grurë ma i dobët e çmimi ma i lirë. Pastaj tregu tek ne bazohet prej çmimit të importit pa u fol për realitetin e klasës së grurit. Importi gjithherë na dëmton”, shprehet Shukri Sallahu, bujk nga komuna e Ferizajt.
Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se Serbia ka qenë eksportuesi më i madh i grurit në Kosovë, deri në vendosjen e masës mbrojtëse 100 për qind, për t’u zëvendësuar me grurin që vjen nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Hungaria, Kroacia e Bullgaria.