Në AAB mbahet debat për tolerancën ndër-fetare në Kosovë

Prishtinë | 22 Mar 2017 | 11:50 | Nga

Kolegji AAB në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), organizuan debatin me temën “Dialogu ndër-fetar dhe ndëretnik dhe ndërtimi i tolerancës duke përfshirë të rinjtë”.

Prof. Shemsedin Vehapi, në fjalën e tij tha se debatet e tilla janë gjithmonë me interes për Kolegjin AAB, për vet faktin se institucionet arsimore dhe institucionet fetare e kanë një mision të përbashkët, i cili ka të bëjë me edukimin e brezave të rinj, në përgatitjen e tyre për një jetë më të mirë.

“Temat siç është toleranca fetare kanë qenë dhe janë gjithmonë aktuale. Shpresoj se të rinjtë sot po përgatiten për një jetë më të mirë, andaj parimet bazë mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja i takojnë pikërisht kuptimit të drejtë të ndryshimeve të cilat ekzistojnë në pikëpamje, në bindje të ndryshme ku bënë pjesë edhe kategoria e bindjeve fetare”, theksoi Vehapi.

Ndërkaq, përfaqësuesi nga Bashkësia Islame e Kosovës, Vedat Sahiti, tha se BIK-u e konsideron të domosdoshëm dhe të nevojshëm angazhimin në vazhdimin e dialogut mes komuniteteve me qëllim të njohjes dhe rritjes së mirëkuptimit të ndërsjellë, sepse sipas tij, të gjitha mosmarrëveshjet vijnë si një rezultat i një injorance të mosnjohjes së njëri-tjetrit, mos respektimit të vlerave të njëri-tjetrit.

“Mësimet tona hyjnore na mësojnë se njerëzit janë të krijuar të ndryshëm, për t’u njohur mes vete dhe jo për të treguar epërsi dhe për të shprehur urrejtje ndaj njëri tjetrit.

BIK-u i ka prirë dialogut ndër-fetar, ku me të gjitha problemet që është ballafaquar shoqëria kosovare, gjatë periudhës së kaluar, i prinë dialogut ndër-fetar në Kosovë, madje edhe shumë përpara dialogut në rrafshin politik”, tha Sahiti.

Ai theksoi se kanë një bashkëpunim mjaft të mirë me të gjitha institucionet fetare në vend.

Ndërsa, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, Srgjan Stankoviq, në fjalën e tij tha se e çmon iniciativën e të gjitha institucioneve fetare në vend për ndërtimin e një jetese të përbashkët, normale ndërmjet të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Janë organizuar forume rinore nën ombrellën e këtij dialogu ndër-fetar dhe tashmë kemi parë rezultate të mira në këtë drejtim”, shtoi ai.

Stankoviq thotë se ekzistojnë edhe presione të caktuara politike dhe pastaj edhe përpjekje për të ndikuar, për të ndërhyrë, ku vet ai personalisht, i quan përpjekje për ta keqpërdorur ndikimin e bashkësive fetare për qëllime të politikës ditore.

Në këtë konferencë, edhe përfaqësuesi i Kishës Katolike në Kosovë, Don Kastriot Idrizi, tha se edhe ky institucion ka një bashkëpunim të mirë me institucionet e tjera fetare në vend.

“Kisha Katolike qysh në Koncilin e Dytë të Vatikanit në vitin 1965 kur e ka shkruar një dokument që quhet ‘Drita e Popujve’, flet për dialogun ndër-fetar dhe me deklaratën mbi marrëdhënien e kishës me fetë jo të krishtera, ka dhënë shenja të qarta dhe pozitive mbi dialogun ndër-fetar, sidomos me religjionet monoteiste, hebraizmin dhe islamin”, tha Don Kastrioti.

Opinionet pozitive mbi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve fetare në vend nuk i munguan as përfaqësuesit të Kishës Protestante në Kosovë, Femi Cakolli, i cili i siguroi studentët e AAB-së se bashkëpunimi mes bashkësive fetare është një nga tregimet më të suksesshme të shoqërisë kosovare.

Cakolli në këtë tryezë foli edhe për historikun e pranisë së Kishës Protestante në trojet shqiptare, veçanërisht në Kosovë.

I fundit përfaqësues në këtë debat ishte ai i Bashkësisë Hebraike të Kosovës, Berkant Zhillta, i cili në fjalën e tij e falënderoi OSBE-në për këtë inciativë dhe tha se Bashkësia Hebraike, do të kontribuojë që ta ruajnë harmoninë ndërfetare të të gjithë popujve që jetojnë në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme