Përgatitjet para fillimit të garës “Australian Open” që do të mbahet muajin tjetër, janë goditur me dy raste pozitive me koronavirus në aeroplanin që i bartte tenistët drejt Grand-Slamit të parë këtë vit. Tani 24 tenistë do të izolohen në hotel për dy javë.
Rastet pozitive janë regjistruar në fluturimin nga Los Angeles në Melbourne të premten për Grand-Slamin e tenisit. Zyrtarët në shtetin Victoria ku kryeqytet është Melbourne, kanë thënë se një anëtar i ekuipazhit ajror dhe një pjesëmarrës i “Australian Open”, i cili nuk është lojtar, janë transferuar në një hotel shëndetësor pas testeve pozitive me koronavirusin e ri.
Në karantinë, tenistët duhet të ushtrojnë në ambiente të mbyllura, në vend që të jenë në ambient të jashtëm për pesë orë në ditë, si pjesë e kushteve në mënyrë që gara të vazhdojë. Ky vendim është përcjellë me kritika pasi përgatitjet nuk janë të njëjta për të gjithë garuesit.
Meksikani Santiago Gonzalez dhe uruguaiani Pablo Cuevas shkruan nëpërmjet rrjeteve sociale për t’i shprehur mendimet e tyre.
Mediat lokale kanë shkruar se tenistët si Victoria Azarenka, Sloane Stephens dhe Kei Nishikori kanë qenë në aeroplan.
Australia është pajtuar që t’i pranojë 1200 tenistë, zyrtarë dhe anëtarë të stafeve në 15 fluturime për ngjarjen e madhe sportive që pritet të fillojë më 8 shkurt.