Në Aeroportin e Prishtinës sot fluturimet po realizohen me sukses

Prishtinë | 07 Jan 2017 | 10:42 | Nga

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP) “Adem Jashari” njofton se gjatë ditës së sotme janë paraparë të realizohen 84 fluturime gjithsej me 43 në shkuarje dhe 41 në arritje.

Zyrtarët e Aeroportit njoftojnë se deri më tani të gjitha fluturimet janë realizuar me sukses përveç fluturimit të “Turkish Airlines” i cili është anuluar si pasojë e kushteve atmosferike në Aeroportin e Ataturkut në Stamboll.

“Kushtet atmosferike momentalisht janë të përshtatshme për fluturime në ANP ‘Adem Jashari’ dhe presim që fluturimet e radhës të realizohen me sukses”, njoftojnë zyrtarët e Aeroportit të Prishtinës.

Zyrtari për informim në Aeroportin e Prishtinës, Unidon Krasniqi, ka thënë për EkonomiaOnline se në rast të vonesave të fluturimeve si pasojë e kushteve klimatike, udhëtarët duhet të paraqiten te kompanitë ajrore përkatëse.

“Lusim udhëtarët që për fluturimet e parealizuara të kontaktojnë kompanitë ajrore përkatëse për të aranzhuar itinerarin e ri të fluturimeve dhe informacione shtesë!”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se stafi i ANP “Adem Jashari” është gjithmonë i gatshëm që t’u ofroj shërbime udhëtarëve dhe kompanive ajrore që e shfrytëzojnë aeroportin.

“Përkundër kushteve të vështira atmosferike gjatë këtyre ditëve, ne vazhdimisht kemi bërë përpjekje për të ofruar shërbime ashtu që fluturimet të realizohen me rregull. Megjithatë, gjatë ditës së djeshme ka pasur anulime të shumta si shkak i motit të lig, ndërsa sot të gjitha fluturimet po realizohen me sukses”, ka thënë Krasniqi.

Këto ditë për shkak edhe të festave të fundvitit, ai thotë se kanë pasur një fluks të shtuar të udhëtarëve, pjesa më e madhe e të cilëve janë në shkuarje.

“Ne jemi të përgatitur për t’u përballur me çfarëdo fluksi në mënyre që t’u ofrojmë udhëtarëve tanë shërbime sa më të mira, ndërsa shpresojmë që gjatë ditëve në vijim nuk do të kemi probleme me kushtet atmosferike”, ka theksuar Krasniqi.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme disa fluturime janë anuluar për shkak të kushteve të rënduara atmosferike, ndërsa një pjesë e tyre janë transferuar dhe pritet të realizohen sot.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme