Kosova ndodhet në muajin e saj të çlirimit. Për festën e 11 dhe 12 qershorit Prishtinën e kanë vizituar figura politike që kanë pasur impakt të jashtëzakonshëm në çlirimin e vendit, sikurse ish-kryeministri britanik, Tony Blair, të cilit iu ngritë edhe një shtatore në Ferizaj, shkruan Express.
Ndonëse s’ka qenë në Kosovë për këtë përvjetor çlirimi, ish-sekretari i NATO-s, spanjolli Javier Solana, është një nga personalitetet e politikës ndërkombëtare që ka qenë në krye të Aleancës Veri Atlantike në kohët më të rënda për Kosovën.
Në arkivat e Associated Press ndodhet edhe një video e Solanës, atë kohë si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, i cili takon në Maqedoni refugjatët kosovarë që kishin ikur nga krimet e regjimit të Millosheviqit.
Në këtë takim me kosovarët që ishin detyruar ta lëshonin Kosovën me dhunë, Solana mban një fjalim shpresdhënës.
“Nëse shikoni në atë drejtim, atje është Kosova. Dhe atje miqtë e mi të dashur do të jemi bashkë së shpejti”, dëgjohet teksa Solana iu drejohet një grupi të madh refugjatësh në kampin e Çegranes (fshat në Gostivar).