Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ka njoftuar se inspektorët e saj kanë zbuluar në fshatin Bardhosh, një plantacion “të madh”, i cili ishte duke e ujitur tërësisht me ujë të pijshëm
KRU “Prishtina” ka publikuar në faqen e Facebook video dhe fotografi, ku shihet se sipërfaqja e tokës kishte të endur rrjetin e ujitjes dhe ishte lidhur ilegalisht në sistemin e Ujësjellësit.
“Kjo është e papranueshme, më shumë se e neveritshme, për jo njerëzore, mos të flasim fare. Në Bardhosh, Plantacion i madh, u zbulua tash nga inspektorët tanë duke e ujitur tërësisht me ujë të pijshëm, nga fillimi e deri në fund”, theksohet në postimin e kompanisë.
KRU “Prishtina” ka njoftuar se gjatë ditës ka identifikuar dhe shkyçur edhe disa lidhje ilegale në Bardhosh e Lebanë, të dyja fshatra të Prishtinës.
Me fillimin e verës, kjo kompani ka intensifikuar aksionet kundër kyçjeve ilegale, si dhe ndaj borxhlinjve.
