Shoqata “Thirrjet e nënave” po kërkon që të bëhen pjesë e delegacionit në bisedimet me Serbinë, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e kësaj shoqate, Nesrete Kumnova, u ka bërë thirrje institucioneve që në delegacionin e bisedimeve me Serbinë, të jetë edhe njëra nga këto nëna.
“Kërkoj me ngulm që në delegacionin e bisedimeve të jetë njëra nga nënat që me dëshmi e fakte, t’ua dokumentojmë delegacionit serb, krimet e bëra mbi shqiptarët”.
“Heshtja nuk është përgjigje, prandaj sot jam këtu që t’u them se nëse ju e keni harruar luftën dhe humbjet në njerëz, ne nuk mund ta harrojmë, pasi çdo ditë për 21 vite me radhë, na mungojnë në sofrat tona”.
Sipas saj, kjo çështje e të pagjeturve duhet të jetë prioritet i shtetit dhe jo vetëm i familjarëve.
“Të mos mbyllen bisedimet me Serbinë ka kërkuar falje Serbia zyrtare për kirmet e bëra gjatë luftës në Kosovë. Kriminelët dihen me emra dhe mbiemra dhe ata duhet të gjykohen dhe dënohen për veprat e tyre kriminale”.
“I bëj thirrje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, kryekuvendares Vjosa Osmani, kryeministrit Avdullah Hoti, që sa më parë të kushtëzojnë bisedimet me Serbinë në Bruksel dhe ta vendosin në radhë të parë çështjen e personave të pagjetur, zbardhjen e fatit të tyre dhe kthimin e eshtrave në Kosovë”.