Në Bosnje protestohet sërish pas sulmit ndaj gazetarit Kovaçeviq

Prishtinë | 28 Gus 2018 | 15:55 | Nga

Gazetarët në Bosnje-Hercegovinë kanë protestuar për të dytën ditë, në shenjë pakënaqësie pasi gazetari, Vlladimir Kovaçeviq është goditur rëndë nga disa sulmues të panjohur.

Rreth 200 gazetarë janë mbledhur më 28 gusht në qendër të kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevë, duke kërkuar dhënien fund të sulmeve kundër gazetarëve në këtë shtet.
Ata po ashtu u kanë bërë thirrje autoriteteve që të identifikojnë sulmuesit e gazetarit, Kovaçeviq, i cili punon për televizionin BNTV.

Marshe të ngjashme është raportuar të jenë mbajtur në Zenicë dhe Mostar, një ditë pasi qindra persona kanë protestuar në Banja Llukë, qendër administrative e Republikës Serbe të Bosnjës, vend në të cilin ka ndodhur sulmi më 26 gusht.

Disa televizione kanë transmetuar mesazhe me ngjyrë të kuqe dhe zezë në të cilat thuhej: “Ndaleni dhunën kundër gazetarëve në Bosnje”.

Kovaçeviq është shtruar në spital, pasi ai ka thënë se dy burra e kanë goditur me shufra metalike më 26 gusht, teksa ai ishte duke u kthyer në shtëpi, pasi kishte raportuar në një protestë kundër Qeverisë në Banja Llukë.

Prokurorët në Banja Llukë kanë thënë se janë duke e trajtuar rastin si tentim-vrasje.

Asociacioni i gazetarëve në këtë shtet ka fajësuar më 27 gusht, liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik për drejtim të fushatës kundër mediave të pavaruara, duke thënë se e njëjta i ka kthyer gazetarët në “caqe të hapura” për sulmuesit.

Dodik, kryeparlamentari, Nedeljko Çubriloviq dhe politikanë tjerë kanë dënuar sulmin kundër gazetarit Kovaçeviq.

Këtë rast e ka dënuar edhe ambasada amerikane në Sarajevë, duke i cilësuar sulmet ndaj gazetarëve të “papranueshme”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme