Në Shërbimin evropian për Punë të Jashtme nuk ekziston nevoja për karantinë, teksa është duke vazhduar puna në organizimin e një takimi të ri në kuadër të dialogut, është bërë e ditur nga Brukseli.
“Jemi duke punuar drejt mbajtjes së takimeve të reja, terminet dhe agjendën e të cilave do ta bëjmë të ditur paraprakisht”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për mediat serbe.
Në Shërbimin e Jashtëm është theksuar se terminet dhe agjenda e raundit të radhës të bisedimeve ende nuk është konfirmuar, derisa theksohet se çështja e Asociacionit duhet të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
Brukseli ka përkujtuar se marrëveshja rreth Asociacionit është përmbyllur më 2013 “në vullnet të mirë” dhe se “kurrë nuk është shfuqizuar apo tërhequr”.
“Kosova e ka marrë përsipër obligimin ndërkombëtar që ta zbatojë këtë marrëveshje. Kosova duhet ta propozojë rrugën drejt zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, është thënë nga Brukseli, transmetojnë mediat në Serbi.