Në Credit Suisse Awards valon flamuri shqiptar

Prishtinë | 21 Dhj 2016 | 09:00 | Nga

Në eventin e televizionit zviceran “Credit Suisse Awards 2016”, ku shpallen sportistët e vitit e që ndiqet nga një numër jashtëzakonisht i madh i teleshikuesve zviceranë, ka valuar për disa sekonda, flamuri shqiptar gjatë interpretimit të këngës “Tous Ensemble”.

Këngëtari zviceran, Pascal Vonlathen, i njohur si Gustav ka kënduar edhe në gjuhën shqipe këngën “Tous ensemble” të përpunuar në 8 gjuhë. Ndryshe kjo ka qenë kënga që Gustav ia ka kushtuar përfaqësueses zvicerane në Kampionatin Evropian të futbollit që është mbajtur sivjet në Francë.

Kohë më parë, Gustav në bashkëpunim me këngëtaren shqiptare Arjeta Zhuta, e ka përkthyer këtë këngë edhe në gjuhën shqipe, si shenjë mirënjohje e falënderimi për lojtarët si Shaqiri, Xhaka e të tjerë për kontributin e dhënë në avancimin e futbollit zviceran.

Kënga në gjuhën shqipe mban titullin „Të gjithë bashkë” dhe ju mund ta dëgjoni në kanalin e televizionit publik të Zvicrës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme