Burime brenda takimit të sotëm të krerëve të shtetit flasin për pajtim në mes të palëve për votimin e demarkacionit me Malin e Zi.
“Ka pajtim për ta votuar demarkacionin”, i ka thënë në kushte anonimiteti portalit Koha.net një burim brenda villës së Pacollit në Hajvali.
Nga ana tjetër, KTV-ja ka mësuar nga burime të afërta me zhvillimet se megjithatë kjo është bërë me kushtin që të ketë një shtojcë në pakon e demarkacionit ku do të thuhet se “në rast se ka mospajtime mes palëve gjatë shënjimit të vijës kufitare, ajo mund të rishikohet”.
Brenda koalicionit qeverisës, katër partitë shqiptare kanë qëndrime thuajse të ndryshme rreth demarkacionit. PDK-ja ka thënë se e voton, Nisma kishte thënë se po angazhohet për të gjetur një zgjidhje kreative, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kryeministrit Ramush Haradinaj ka qenë e barrikaduar në qëndrimin kundër, derisa AKR-ja e Behgjet Pacollit së fundi tha se Qeverisë i humb kuptimi nëse nuk arrin të gjejë zgjidhje për demarkacionin.
Në koalicion qeverisës është edhe Lista Serbe, e cila deri sot nuk ka shfaqur qëndrim të qartë për demarkacionin. Igor Simiq ka thënë sot se kjo çështje nuk është në prioritetet e kësaj partie. Në darkën te Pacolli, sonte ka qenë edhe ministri Nenad Rikallo.
Burimi, i ka thënë portalit Koha.net se pos dakordimit të palëve në Qeveri, “në ditët në vazhdim do të bisedohet edhe me partitë opozitare rreth kësaj çështje”.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do ta votonte demarkacionin në versionin e parë, meqë garanton se nuk është humbur territor. Por ka thënë se nëse kjo qeveri e nënshkruan të njëjtin version, LDK-ja do të kërkojë përgjegjësi nga ata që tash janë në qeveri e që e kundërshtonin dhunshëm demarkacionin.
Lëvizja Vetëvendosje mbetet e barrikaduar në qëndrimin e saj kundër mënyrës se si Kosova e ka shënjuar vijën kufitare me Malin e Zi.
Marrëveshjen e demarkacionit Kosovë – Mali i Zi e kishin nënshkruar në Vjenë, në gusht të vitit 2015, Hashim Thaçi në cilësinë e ministrit të Jashtëm dhe Skender Hyseni në cilësinë e ministrit të Brendshëm. Ky i pari tash është president i vendit, dhe bën vazhdimisht thirrje që të votohet demarkacioni. Thaçi ishte po ashtu sonte te villa e Pacollit.