Stuhia e parë e borës në sezonin dimëror në pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara ka ardhur bashkë me rekord të trashësisë së borës në disa pjesë të këtij rajoni.
“Aeroporti rajonal Williamsport bëri histori”, tha Shërbimi Kombëtar i Motit, duke raportuar trashësi të borës prej 62 centimetrash. Rekordi i mëparshëm i trashësisë së borës në këtë vend ishte 61 centimetra dhe ishte shënuar në vitin 1964.
Një pjesë e madhe e rajoneve perëndimore dhe qendrore të Pensilvanisë gjithashtu u përballën me numër dyshifror të trashësisë së borës, shkruan The Guardian.
Rekord të trashësisë së borës shënoi edhe Bostoni, ku reshjet shkuan në 23 centimetra. Lajmin e bëri të ditur një meteorolog i Shërbimit Kombëtar të Motit në Norton të Masaçusetsit.
Gati një metër borë ra në Binghamton të Nju Jorkut deri të enjten në mëngjes. Raportohet se në distriktin Broome trashësia e borës ka shkuar në mbi 90 centimetra.
Një zëdhënës i Shërbimit Kombëtar të Motit tha se kjo stuhi ka sjellë rekord të reshjeve të borës për periudhën 48-orëshe me rreth 90 centimetra, duke e thyer rekordin e mëparshëm të vitit 2017.
Për shkak të këtij moti, probleme në qarkullimin rrugor janë raportuar në shumë shtete të ShBA-së dhe kanë shkaktuar dhjetëra aksidente në pjesën lindore të Nju Jorkut. Policia e Nju Jorkut tha se një person është goditur nga kamioni dhe ka vdekur të hënën në qendër të qytetit Albany.