Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka vizituar shkollën fillore “7 Marsi”, në Suharekë me rastin e ditës së mësuesit. Ajo është shprehur e emocionuar pas rikthimit në objektin ku ajo kishte nisur shkollimin e saj.
“Me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit, erdha në vizitë në vendin ku mora hapat e parë të shkollimit dhe edukimit tim, për t’i uruar këtë festë mësuesve e arsimtarëve të shkollës fillore “7 Marsi”, tha Reshitaj.
“Ju faleminderit për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në edukimin e shumë brezave të rijnë, të cilët falë këtij edukimi kontribuan në shtetndërtimin tonë. Njëkohësisht dua t’iu urojë gjithë mësimdhënësve ditën e tyre, 131 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë, duke falënderuar për punën e tyre të pa lodhshme, në procesin e mësimdhënies. Mësimdhënësit janë arkitektet e shoqërisë, puna dhe kontributi i tyre meriton çmimet më të mëdha të vlerësimit”.
Ministrja e shoqëruar edhe nga kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka vizituar gjimnazin “Jeta e re” ku është mirëpritur nga profesorët dhe drejtuesit e kësaj shkolle.
Vizita e ministres Reshitaj ka vazhduar edhe në Bibliotekën e qytetit ku ishte organizuar ndarja e mirënjohjeve për mësuesit e pensionuar.
Në këtë aktivitet ministrja u takua edhe me ish-kujdestarin e klasës, Ramadan Shala, para të cilit lexoi edhe një poezi kushtuar atij, të shkruar më 1997.
MËSUESI
Në sytë e tu shoh ardhmërinë time
Në rrudhat e ballit t’i numëroj vuajtjet
Në Vetullat e mvrejtura urrejtjen e kohëkeqës
Në sytë e tu një jetë e tërë kristalizohet
Nga buzët tua
Për të qindtën herë dëgjova fjalën Liri.
Çdo ditë nga një rrudhë ta stolisë fytyrën
Çdo ditë nga një lot i vakët në zemër
Çdo ditë nga një vragë t’i përtërin forcat!