Në Ditën e të Drejtave të Njeriut, Shala i bën thirrje partive politike të ndalin abuzimin me kategoritë e prekshme

Prishtinë | 09 Dhj 2025 | 18:28 | Nga Ekonomia Online

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, ka organizuar diskutimin e nivelit të lartë diplomatik për nder të Ditës së të Drejtave Themelore të Njeriut. Në këtë diskutim u vu në theks respektimi i të drejtave të njeriut dhe paraqitja e komuniteteve në zërat institucionalë, raporton Ekonomia Online.

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën, Elvana Shala, tha se diplomacia sot duhet të jetë aktive edhe ndaj dhimbjes sociale. Ajo tha se shoqëria ka përgjegjësi morale që asnjë qytetar të mos mbetet në hije.

“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme nga niveli i lartë deri tek njerëzit më të mirë që ka shoqëria e Kosovës. Sot jemi mbledhur jo për të folur për diplomacinë si nivel politik, jemi këtu për të folur për të drejtat e njeriut. Sot diplomacia për të drejtat e njeriut nuk është mekanizëm i mbrojtjes për ata të pambrojturit, për komunitetet jo-shumicë e për komunitete të tjera. Diplomacia sot duhet të jetë aktive edhe ndaj dhimbjes sociale, e këtë mund ta bëjmë vetëm duke përfshirë të gjitha kategoritë. Është përgjegjësi e jona morale që asnjë qytetar të mos mbetet në hije. Vasfije Krasniqi dhe Ramadan Nishori janë një dëshmi e gjallë. Një mesazh për të gjitha partitë politike: që nesër nisin zyrtarisht garën për të fituar pushtetin. Kategoritë e margjinalizuara nuk janë mjet për fushatë, nuk janë numra për statistika dhe nuk janë vota për t’u shfrytëzuar një herë në katër vite. Nga këtu, i bëj thirrje të gjitha partive politike që të ndalin menjëherë përdorimin e dhimbjes sociale për përfitime elektorale dhe të kalojnë nga fjalët në veprim. Diplomacia e së nesërmes duhet të jetë më njerëzore dhe më e orientuar drejt ndikimit“, tha ajo.

Nënkryetarja në detyrë e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, theksoi rëndësinë e përkrahjes për diplomacinë për të drejtat e njeriut.

“Diplomacia për të drejtat e njeriut padyshim që është një temë që prek themelet në Kosovë dhe kudo tjetër. Kemi grupe që përballen me dhunë e diskriminim; ne duhet të mendojmë për kategoritë më të margjinalizuara, për komunitetet jo-shumicë, për refugjatët, për komunitetin LGBT. Si qytetare e një vendi që ka kaluar nëpër sfida të padrejtësive, diplomacia jonë duhet të jetë zë i fortë jo vetëm brenda kufijve tanë, por edhe jashtë globit. Këtu kemi Vasfijen, Ramadanin e Feriden, që kanë kontribuar në arenën ndërkombëtare. Pavarësisht vendimeve që janë marrë, ka ende mundësi për përmirësim. Ne besojmë fuqishëm që diplomacia nuk është vetëm një njohje ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arsye duhet të vendosim të drejtat tona si shtyllën kryesore. Republika e Kosovës duhet të jetë shembull se si trajtohen komunitetet. Si nënkryetare e Kuvendit angazhohem të jem zë i grupeve të margjinalizuara“, tha ajo.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, foli për kontributin e Kryeqytetit lidhur me të drejtat themelore të njeriut.

“Sonte jemi mbledhë për të festuar dinjitetin njerëzor dhe për të kujtuar se të drejtat e njeriut janë themelore dhe jo abstrakte. Prandaj, në këtë Ditë Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dua të ndaj punën dhe vizionin. Në këto 4 vjet kemi punuar që të drejtat e njeriut të hyjnë në çdo derë të qytetit. Çdo grua që ka kaluar dhunë ka pasur derën hapur. Një qytet gjithëpërfshirës matet me atë se si kujdeset për ata që nuk dëgjohen. Kemi bërë që qendrat të jenë reale; njerëzit me shkop të bardh ecin lirshëm në institucionet e qytetit“, tha ai.

Të ngjashme