Shoqata për Dëme të Luftës “Ngritja e Zërit”, me rastin e 70-vjetorit të Konventës së Gjenevës dhe Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve kanë protestuar nëpër sheshet e Prishtinës.
Marshi protestues filloi nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te Qeveria e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Jahir Bejta nga kjo shoqatë, tha se në këtë ditë shoqata kërkon drejtësi për familjarët, për paditë që po shpërfillen nga organet e drejtësisë.
“Kemi ardhur për të kërkuar drejtësi për familjarët, drejtësi për paditë që na refuzohen padrejtësisht dhe për t’i përkujtuar institucioneve se janë të obliguara t’i zbatojnë konventën e Gjenevës, ato obligojnë që gjatë luftërave të sillen në mënyrë paqësore, të jetë humanizmi në nivel dhe popullata civile mos të preket dhe prona”, tha Bejta.
“Ne jemi në nivel shteti si shoqatë për dëmet e luftës që 11 vite padrejtësisht na refuzohen paditë që kanë obligim organet t’i shqyrtojnë. Gjykata Kushtetuese dhe gjitha tjerat janë të obliguara t’i shqyrtojnë”, tha ai.
Bejta tha se Qeveria Haradinaj nuk u ka dhënë grante gjithave shoqata që merren me familjarët e të zhdukurit, raporton EO.
“Grantet të cilat i ka nda për shoqata është mirë që Haradinaj moralisht të prononcohet se cilave shoqata nuk ia ka dhenë dhe përse e ka bërë ketë”, tha Bejta.