Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, me rastin e Ditës Botërore të Ujit, ka vizituar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.
Lluka tha se “Gjakova” është kompania me performancën më të mirë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
“Kjo është dëshmuar edhe në rregullatorin e ujërave. Të gjitha aspektet janë vlerësuar që Ujësjellësi i Gjakovës është vlerësuar”, tha Lluka.
“Jemi duke bërë përpjekje që 100% e qytetarëve të jenë pjesë e kyçjes së ujit të pijshëm. Jemi duke shikuar edhe të ndërrojmë gypat e azbestit. Ajo çka është me rëndësi është që edhe orëmatësit duhet të ndërrohen; është një investim rreth 20 milionë euro për t’u bërë orëmatës digjitalë, sepse orëmatësit aktualë e humbin ujin”, shtoi kreu i MZhE-së.
“Uji është jetik dhe nëse nuk kemi kujdes mund të përballemi me vështirësi. Duhet të jemi më racional në shfrytëzimin e ujit. Gjakova besoj që shumë shpejt do të trajtojë dhe ujërat e zeza”, theksoi ministri Lluka.
Në vizitën në zyrat e KRU “Gjakova” ishte dhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili tha se vitet 2018 dhe 2019 do të jenë shumë të rëndësishëm për ujin.
“Kompania ka avansuar gogja shumë me fabrikën e re për ujë të pijes dhe është avancuar gogja shumë edhe në impiantin. Duhet me u përmend që edhe qeverisja lokale e ka të qartë që do të kemi investime serioze në ujëra”, tha Gjini.
“Kemi biseduar edhe për kyçjen e fshatrave të Rekës së Keqe. Do të fillojë edhe investimi në lumin Krena”, tha ai.
Ismet Ahmeti, drejtor i kompanisë KRU “Gjakova” (Ish-Radoniqi), tha se kompania ka treguar sukses gjatë këtij viti dhe po vazhdojnë me projekte të tjera të cilat e lehtësojnë jetën e qytetarit.
“Ne e kemi fabrikën në fazën e fundit dhe në shtator do të fillojë me furnizimin me ujë. Në fazën e dytë do të lidhen më shumë se 200 fshatra”.
“Pas kësaj do të fillojmë më impiantin e ujërave të zeza. Shumë shpejt do të fillojmë edhe me ndërrimin e gypave të azbestit. Më së largu vitin e ardhshëm do të fillojmë me ndërrimin e tyre”, tha ai.
Arlan Breon nga Iniciativa e Zhvillimit të Komunitetit (CDI), që ka ndihmuar financiarisht KRU “Gjakovën”, tha se punojnë qe tri vjet me këtë kompani dhe do të vazhdojmë edhe për tre vjet të tjerë.
“Duhet falënderuar edhe përkushtimit të drejtorëve të kompanive të ujit për punën e madhe. Në Gjakovë, zona rurale do të mbulohet nga ujësjellësi. Më vjen mirë që Kuvendi ka miratuar sigurimin e qasjes së të gjitha qyteteve në ujë dhe kanalizim”, tha ai.