“Adventure Trips Kosovo” ka organizuar tur me biçikleta për nder të Ditës Ndërkombëtare pa Makina, duke u nisur nga sheshi “Ibrahim Rugova” në Prishtinë deri në destinacionin e fundit që është te ‘kafiqi’ i biçiklistave.
Egnesa Vitia, organizatore e këtij eventi, ka thënë se kjo ka qenë një thirrje në formë proteste për të dalë në rrugët e kryeqytetit me biçikleta, që të jepet mesazhi që të qytetarët të lëvizin sa më shumë me to.
Ajo ka thënë se ky do të duhej të ishte organizim i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, mirëpo, sipas saj, si organizatë u është dashur ta ndërmarrin vetë këtë veprim, megjithëse në mungesë të shtigjeve për biçiklistë.
“Ish dashtë me qenë organizim i MMPH-së në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, por meqenëse ata nuk kanë marrë masa deri tash. Ne si organizata po mundohemi të bëjmë në këtë drejtim, për shembull më shumë shtegje të bëjnë ose në shesh, sepse në hapësirën ku ne takohemi zakonisht, këtu tek sheshi “Ibrahim Rugova” për çdo javë, nuk është e lejuar biçikleta, kështu që na duhet me dalë në rrugët kryesore të qytetit. Ne iu themi mos me përdorë automjete, po biçikletave dhe sa më shumë me përdorë biçikletën dhe me i dhënë fund tymit i cili gjendet në Prishtinë”.
“Destinacioni do të jetë nëpër rrugët kryesore të Prishtinës, pastaj si përfundim në kafiqin e çiklistave, i cili ndodhet në Dragodan”.
Ndërsa, Fatmir Emini, anëtar i organizatës “Tejkalo Kufijtë Tu”, i cili sot kishte dalë në shesh për të vazhduar me çiklistët e tjerë, ka thënë për Ekonomia Online se institucionet e Kosovës duhet të bëjmë më shumë për biçiklisitët, duke treguar se ky sport ndikon si në aspektin fizik të njeriut ashtu edhe në atë mental, por edhe mjedisor.
“Institucionet tona përveç një ndihme materiale që na kanë dhënë një herë, në aspektin e infrastrukturës nuk kanë bërë gati se asgjë. Sheshin ku jemi, nuk e kemi një shteg ku ne mundemi me dalë dhe lirisht me u marrë me biçikletë”.
“Kisha kërku prej institucioneve që të na mundësojnë, edhe në shesh por edhe në rrugë të tjera, por edhe më gjerë me na mundësu me qenë të sigurt gjatë realizimeve të eventeve tona”.
Emini ka dhënë një mesazh për të gjithë qytetarët.
“Leni makinat, merruni 364 ditë me biçikletë e një me makinë”.