Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Muzeu i Kosovës ka mbajtur programin edukativ-interaktiv “Edukimi për Paqe” me grupmoshat 5-6 vjeç nga institucionet parashkollore.
Krejt kjo duke synuar të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e muzeve në zhvillimin e shoqërisë, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj tha se ndjehet i lumtur që edhe këtë vit Muzeu i Kosovës po e feston ditëlindjen bashkë më fëmijët.
“Muzeu i Kosovës që sa vite organizon shumë aktivitete publike ndërkombëtare të muzeve për disa arsye e para sepse kjo ngjarje është ditëlindja e muzeve në nivel global, e dyta me rëndësi për neve është sepse ne jemi pjesë e organizatës së ICOM-it organizatë botërore e muzeve dhe i gjithë aktiviteti për këtë ditë kudo në botë organizohet nën patronazhin e ICOM”.
“E treta është që të rijmë brenda misionit të deklaruar që muzeu i Kosovës ka tri grupe në fokus të parët fëmijët dhe të rinjtë, të dytët akademia njerëzit e shkencës, universitetet dhe shtylla e tretë janë turistët dhe vizitorët”.
Ndërsa, Besnike Rraci-Gjikolli pedagoge muzeore tha se në ditëlindjen e muzeut po e organizojnë këtë aktivitet me fëmijët e komunës së Prishtinës dhe të Fushë Kosovës.
“Sot 18 maji është dita e muzeut dhe festohet në të gjithë botën, ne këtë vit kemi zgjedhur aktivitetet e ndryshme duke filluar nga parashkollorë mosha 5-6 vjeçare, pastaj vazhdon me shkolla fillore dhe në fund vazhdojmë me shkollat e mesme”.
Në orët e mbrëmjes aktivitetet e muzeut vazhdojnë me prezantimin e punimeve dhe dokumentareve “Citites of Peace” të realizuara më parë në 10-të vende të botës, dhe shpërndarjen e certifikatave për vullnetarët e Termokiss në Muzeun e Kosovës, raporton EO.
Edukimi për Paqe, është një program i cili përmes punëtorisë artistike inspiron gjeneratat e reja me trashëgiminë kulturore të Kosovës, duke promovuar paqen dhe mirëkuptimin.