Në Ferizaj ndërpritet kontrata me operatorin shkaku i zvarritjes së punimeve

Prishtinë | 15 Nën 2019 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Prej më shumë se dy vjet po zvarritet asfaltimi i rrugës “Cen Dugolli” me katër shirita, njëra ndër rrugët më të frekuentuara në këtë qytet.

Me arsyetimin se punimet e deritanishme nuk janë bërë sipas marrëveshjes dhe dinamikës, Komuna e Ferizajt ia ka shkëputur kontratën kompanisë ndërtuese “Pro-Co Group”. Pas shkëputjes së kësaj kontrate në vlerë prej 470 mijë eurosh ka reaguar LDK-ja, e cila më 2017 udhëhiqte Ferizajn dhe kishte nënshkruar këtë kontratë, shkruan sot Koha Ditore.

Ndaj këtij veprimi ka reaguar edhe rrjeti i OJQ-ve “Avonet”, duke e akuzuar ekzekutivin e Komunës për keqmenaxhim të parasë publike. Në anën tjetër, në kompaninë “Pro-Co Group” kanë thënë se Komuna nuk e ka njoftuar fare për shkëputje të kontratës në mënyrë të njëanshme.

Arbër Bytyqi, drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt, ka thënë se tashmë janë iniciuar procedurat për shkëputje të kësaj kontrate për shkak të papërgjegjësisë së operatorit ekonomik. Sipas tij, deri tashti kanë kaluar afatet kohore për përfundimin e projektit, pastaj cilësia e punimeve të deritanishme është shumë e dobët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme