Në festivalin e filmit në Lokarno të Zvicrës sot shfaqet filmi “The Land within” (Toka, brenda saj) i regjisorit shqiptar nga Zvicra Fisnik Maxville, realizuar si bashkëprodhim Kosovë-Zvicër.
Festivali i Lokarnos bën pjesë ndër festivalet ndërkombëtare të filmit të kategorisë A, sipas përkufizimit të Shoqatës së Producentëve të Filmit FIAPF.
Filmi ka pasur një rrugë të suksesshme deri tani. Ai ka marrë pjesë në shumë festivale të mëdha botërore ndërsa ka fituar çmimin kryesor në festivalin e filmit në Talin (Estoni), i cili i takon kategorisë së parë të festivaleve botërore të filmit, shkruan albinfo.ch.. Së fundi, ky film ishte nominuar për çmimin e filmit më të mirë të Zvicrës, në festivalin kryesor të filmit në vend, në Solothurn, shkruan Albinfo.ch, transmeton Klankosova.tv.
Subjekti i filmit: Në vitin 2008, pas vitesh mërgimi, Remo u kthye në vendin e tij në Kosovë. Ai duhet të ndihmojë kushërirën e tij Una të zhvarros një varr masiv ku shumica e anëtarëve të familjes së saj janë varrosur gjatë luftës. Por trupat zbulojnë sekretet familjare që shtyjnë Remon dhe Unën të vënë në dyshim të ardhmen e tyre. Një film për të vërtetat e mundshme në një vend që njeh vetëm mbijetesën.