Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy iu drejtua kombit natën e Krishtlindjes, të cilën Ukraina e feston për herë të parë me 25 dhjetor. Në të kaluarën Ukraina e kishte festuar Krishtlindjen më 7 janar.
Në natën e Krishtlindjes, më 24 vjetor, zoti Zelenskyy iu drejtua kombit me një video të filmuar para Katedrales së ndriçuar Shën Sofisë në qendër të Kievit.
“Sot, të gjithë ukrainasit janë të bashkuar. Të gjithë e presim Krishtlindjen bashkë. Në të njëjtën datë, si një familje e madhe, si një komb, si një shtet i bashkuar. Dhe sot lutja jonë e përbashkët do të jetë më e fuqishme se kurdo herë tjetër. Lutje e popullit. Sot, do të bashkojë miliona zëra – më shumë se kurrë më parë. Dhe sot do të ketë domethënie pa dallimin dy javor. Do të ketë domethënie bashkë me Evropën dhe botën. Dhe kjo është një lutje e veçantë. Për njerëzit, për paqen, për drejtësinë, një lutje jete. Dhe sot do të dëgjohet në pjesë të ndryshme të botës, që vjen nga zemrat e njerëzve të ndryshëm, në gjuhë të ndryshme. Edhe nga fe të ndryshme. Ngase kjo është lutje për jetën dhe nuk ka kufij. Në kohë të vështira, ndërkohë që mbrojmë tokën dhe shpirtin tonë, po shkojmë drejt lirisë. Rrugës drejt pavarësisë tonë të gjithmbarshme, përfshirë atë shpirtërore. Lirisë së besimit tonë nga ideologjia e skllavërisë. Nga një kult që nuk ka asgjë njerëzore dhe të shenjtë përbrenda tij. Që sjell dhunë, agresion, urrejtje. I tillë që privon sigurinë dhe paqen, që uzurpon tokën dhe jetat e njerëzve. Por që do të rrënohet. Përmes fuqisë së besimit, forcës së të vërtetës, fuqisë së ligjit, të drejtësisë dhe forcës së Ukrainës,” tha ai.
Këtë vit, në përpjekje për ta distancuar vendin e tyre nga Rusia dhe tradita e saj ortodokse, Ukraina miratoi ligjin që zhvendosi festën e Ditës së Krishtlindjes më 25 dhjetor.
Një shënim që i është bashkangjitur ligjit thotë se qëllimi i tij është “të braktisë trashëgimin ruse” dhe citoi “dëshirën e të gjithë ukrainaseve të jetojnë jetën në bazë të traditave dhe festave të tyre”, të nxitur nga agresioni rus kundër vendit të tyre.
Ky sulm i solli tragjedi dhe vuajtje Ukrainës dhe ndryshoi jetën e qytetarëve të saj përgjithmonë.
Ukrainasja katolike Lesia Shestakova tradicionalisht ka festuar Krishtlindjen me 25 dhjetor. Por bashkëshorti i saj Oleksandr, që është i krishterë ortodoks, e ka shënuar atë me 7 janar.
“Më në fund e kemi një ditë në Ukrainë, të cilën unë dhe burri im mund ta kalojmë së bashku në katedrale dhe ta falënderojmë Zotin që jemi bashkë, të gjallë dhe me shëndet të mirë. Familjet tona do të festojnë bashkë gjithashtu,” tha ajo.
Të dielën ata morën pjesë bashkë në ceremonitë e zhvilluara në Katedralen katolike të Shën Aleksandrit në Kiev.
“Rusia me veprimet e veta ka shkatërruar trashëgiminë e saj në Ukrainë. Shteti ynë i ri po rilind përmes kësaj vuajtje të shkaktuar nga Rusia… Dhe tani, më 25 dhjetor, do të fillojë rilindja e shtetit, me festat e reja,” tha zoti Shestakov.
Që nga sulmi rus, shumë ukrainas kanë refuzuar gjuhën dhe kulturën ruse dhe lidhjet tjera historike që e lidhin këtë vend me Moskën.
Autoritetet ukrainase po riemërojnë sheshet e emrat e rrugëve, si dhe po largojnë lapidarët e bustet që lidhen me të kaluarën cariste dhe sovjetike.
“Nata e Krishtlindjes është nata më e gjatë e vitit. Por që nesër dita fillon të zgjatet, drita fillon të mbretërojë. Drita po bëhet më e fuqishme. Hap pas hapi, ditë pas dite, errësira tërhiqet. Dhe në fund, errësira do të humbasë. Ligësia do të mundet. Sot, ky është synimi ynë i përbashkët, ëndrra jonë e përbashkët, dhe për këtë lutemi sot së bashku. Për lirinë tonë. Për fitoren tonë. Për Ukrainën tonë. Për ditën kur të gjithë mund të mblidhemi në shtëpi për një vit paqeje të një Krishtlindje paqeje. Dhe t’i themi njëri-tjetrit ‘Krishti lindi’,” deklaroi zoti Zelenskyy. /VOA/