Në garën ku Shqipëria merr lavdinë, Kosova kalon në heshtje

Prishtinë | 10 Pri 2019 | 09:50 | Nga Ekonomia Online

Evropiani i Peshëngritjes që po mbahet në Batumi të Gjeorgjisë ka ofruar të martën mbrëma medaljet e para për Shqipërinë. Briken Çalja është shpallur nënkampion evropian në kategorinë deri 73 kilogramë. Ai mori medalje të artë në stilin e shkëputjes, por në stilin e shtytjes nuk ngriti mjaftueshëm për të fituar të artën në dygarësh. Në shtytje fitoi medalje të argjendtë, dhe e argjendta i takoi edhe në dygarësh.

Shqipëria merr pjesë edhe me garues të tjerë, si Erkand Qerimaj, Daniel Godelli, Krenar Shoraj e Endri Karina, dhe shpresohet në medalje të tjera e momente të tjera të lavdisë, shkruan sot Koha Ditore.

Në Evropianin e Peshëngritjes po merr pjesë edhe Kosova, por prej garuesve të saj nuk priten momente të lavdisë, përkatësisht medalje. Pjesëmarrja e Kosovës në Evropianin për Seniorë në Peshëngritje pritet të kalojë në heshtje, si shumë pjesëmarrje të tjera në ngjarje me peshë në vitet e fundit. Peshëngritja në Kosovë është ende në nivel inferior sa u përket rezultateve dhe arritja e nivelit që ka Shqipëria duket ende shumë e largët.

Kosovën në Evropianin e Batumit po e përfaqësojnë Leonora Brajshori në kategorinë deri 55 kilogramë dhe Arbnor Krasniqi në kategorinë deri 81 kilogramë. Brajshori ka garuar tashmë, pa lënë ndonjë gjurmë. Në shkëputje dështoi tri herë të ngrejë lart peshën prej 66 kilogramësh dhe kështu mbeti pa plasman. Ishte e vetmja pa plasman në këtë stil, ndërsa vetëm një prej 20 garueseve ngriti më pak se 66 kilogramë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme