Në gazsjellësin TAP, në vitin 2016 u investuan 325 milionë euro

Prishtinë | 08 Gus 2017 | 19:58 | Nga

Kostoja e punimeve në proces që gazsjellësi TAP ka bërë në Shqipëri arriti një vlerë totale prej 57 miliardë lekësh (418 milionë euro) deri në fund të vitit 2016, sipas të dhënave nga bilanci i kompanisë.

Nga kjo vlerë, 44 miliardë lekë ose 325 milionë euro u kryen gjatë vitit 2016. Kjo shumë është sa 33% e Investimeve të Huaja Direkte që u kryen në vendin tonë vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2016, Investimet e Huaja Direkte ishin 983 milionë euro.

Sipas shpjegimeve të TAP nga bilanci, shpenzimet kanë shkuar për pagesat e qirasë së tokës, shërbimet ligjore, pagat e punonjësve, kostot e fazës së projektimit dhe kostot e kapitalizuara të punimeve të kryera nga kontraktorët në seksionin shqiptar të gazsjellësit.

Po sipas bilancit, TAP ka mbartur mbi 14 miliardë lekë pagesa të pakryera deri në fund të vitit 2016. Kjo vlerë është akumuluar si e tillë nga shërbimet për blerjen dhe servitutin e tokës, si dhe kontratat e qirasë për tokat shtetërore, për të cilat nuk është bërë pagesa deri në fund të vitit të kaluar.

Kontraktorët e TAP-it kanë pastruar dhe sistemuar afërsisht 49% të gjurmës së projektit në Greqi dhe Shqipëri (371 km nga 765 km). Gjithashtu, 22.6% e tubave të salduara janë futur tashmë në tokë dhe janë mbuluar.

Përafërsisht 13 000 tuba, bërryla, pajisje të ndryshme dhe makineri që peshojnë më shumë se 200 000 tonë kanë hyrë në Shqipëri që nga prilli 2016.

Investimet në gazsjellësin TAP dhe kaskadën e lumit Devoll nga kompania Statkraft kanë zënë vendin kryesor në Investimet e Huaja Direkte që janë futur dy vitet e fundit në vend.

Institucionet financiare ndërkombëtare kanë këshilluar qeverinë shqiptare që të mendojë tani se si të diversifikojnë portofolin e IHD-ve në kohën kur këto projekte do të përfundojnë. (Monitor)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme