Në Gjakovë, EC Ma Ndryshe kërkon trotuare të qasshme për të gjithë

Prishtinë | 18 Kor 2019 | 18:33 | Nga Ekonomia Online

Organizata EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me Hendikosin dhe KVRL në Gjakovë, të enjten, kanë realizuar performancën publike “Trotuare të qasshme për të gjithë”, përmes të cilit aktivitet kanë reaguar ndaj neglizhencës dhe pasivitetit të autoriteteve komunale në ndërmarrjen e masave adekuate për sigurimin e lëvizjes së lirë në trotuaret dhe rrugët kryesore të qytetit të Gjakovës për Personat me Aftësi të Kufizuara.

Sipas njoftimit, përmes këtij aktiviteti, në mënyrë simbolike përkatësisht duke bërë intervenime direkte në një pjesë të trotuareve në rrugën “UÇK” është theksuar e drejta e PAK-ve për qasje dhe lëvizje të lirë dhe më të sigurt brenda zonës urbane.

Në hulumtimet e EC-it, Handikos-it dhe të organizatave tjera që merren me këto çështje, viteve të fundit, qytetarët kanë veçuar si njërin prej shqetësimeve kryesore çështjen e lëvizjes së lirë në trotuare, gjë që duhet të ketë një adresim nga institucionet përgjegjëse.

Përmes këtij aktiviteti ata iu kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për t’u angazhuar më shumë duke i ofruar prioritet çështjes së eliminimit të pengesave dhe krijimit të kushteve për këtë kategori.

Performanca publike “Trotuare të qasshme për të gjithë” është realizuar në kuadër të projekteve “Qytetet Gjithëpërfshirëse – promovimi dhe përhapja e metodologjisë së planifikimit urban me pjesëmarrje, financuar nga Olof Palme International Center mbështetur nga Qeveria e Suedisë si dhe nga projekti ‘Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Të ngjashme