Në shkollën fillore dhe të mesme të ultë “Fehmi Agani” në Gjakovë, ka përfunduar projekti “Libri miku më i mirë”.
Menaxheri i projektit Taulant Binxhia prezantoi rezultatet e projektit që kishin kaluar pritshmëritë e parashikuara si dhe u ndanë shpërblimet: çanta me mjete mësimore për punimet më të mira të nxënësve të shkollave: ShFMU “Ganimete Terbeshi”, Gjimnazi “Hajdar Dushi”, SHME ” Kadri Kusari” si dhe dy qendrat jo formale të edukimit në Gjakovë.
Të pranishëm në këtë manifestim ishin drejtorët e shkollave të lartëcekura, poetja tashmë mike e fëmijëve prof.Migena Arllati si dhe përfaqësuese të qendrës Multimedia.
Nikoqirja, drejtoresha e shkollës “Fehmi Agani” falenderoi donatorët dhe implementuesin e këtij projekti RKE, duke theksuar që ky projekt e ka a rritur qëllimin e edukimit tek nxënësit, pasi ata tashmë kanë një vetëdijësim më të lartë për rëndësinë e leximit në formësimin intelektual të tyre.
Projekti është mbështetur nga programi Kultura për Ndryshim që financohet e menaxhohet nga Bashkimi Evropian ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe Institut.