Në qarkullim është vetëm linja në relacionin Prishtinë – Pejë, përmes së cilës bëhet vetëm transporti i udhëtarëve.
Trenat e Kosovës sot nuk lidhen me asnjë linjë ndërkombëtare. Por rehabilitimi i hekurudhave në territorin e Kosovës, do t’ia mundësojë Kosovës kyçjen në korridoret e vendeve të rajonit dhe në ato pan-evropiane.
Për rehabilitimin e linjave hekurudhore, janë duke u kryer punimet në linjën Fushë Kosovë – Hani i Elezit. Kjo linjë hekurudhore është e ndarë në segmentet: Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe Mitrovicë – Leshak.
Zymer Zekaj, ushtrues detyre kryeshef Ekzekutiv në “Infrakos”, për Radio Kosovën tha se momentalisht janë duke u zhvilluar punimet në linjën e 10-të hekurudhore, që përfshin segmentin hekurudhor nga kufiri me Serbinë në veri të Kosovës deri në lindje në kufirin e Kosovës me Maqedoninë e Veriut.
Ndërkaq, për sa i përket modernizimit të linjës hekurudhore Prishtinë – Pejë, e cila është e vetmja linjë që bën bartjen e udhëtarëve, Zeka thotë se në këtë projekt përfshihet sinjalizimi, elektrifikimi dhe rehabilitimi i stacioneve të trenit, që janë të shkatërruara, e që kanë vlerë kulturore dhe historike. Disa nga këto stacione janë të mbrojtura nga UNESKO:
Me këtë modernizim parashihet rregullimi i sinjalistikës, rregullimi i stacioneve që kanë vlerë. Një pjesë e madhe e tyre janë të mbrojtura nga UNESKO. Jemi në përgatitje të referencave edhe për linjën Klinë –Prizren.
Zekaj sqaroi se vendkalimet e licencuara nga Ministria e Infrastrukturës kanë sinjalizim të rregullt, por sipas tij, ka edhe vendkalime ilegale, që punëtorët e hekurudhave janë të detyruar t’i largojnë.
Vendkalimet mbi binarë që bëhen kohë pas kohe, janë të jashtëligjshme. Ne jemi të detyruar kohë pas kohe të shkojmë t’i eliminojmë ato.
Ndërkaq, në një vizitë që ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, që u bëri punimeve që po zhvillohen në pjesën e hekurudhës në fshatin Miradi të Epërme, tha se rehabilitimi i hekurudhës Fushë Kosovë – Hani i Elezit, është faza e parë e projektit të tërësishëm. Aliu theksoi se modernizimi i kësaj hekurudhe përbën një hap të rëndësishëm drejt rehabilitimit të linjave hekurudhore, që është transport i gjelbër në funksion të ndikimeve të mira klimatike.
“Këto projekte janë të rëndësishme për vendin tonë edhe për qarkullim të brendshëm por, rëndësi të veçantë ka fakti që, përmes këtyre projekteve, Kosova do të mundë të kyçet në korridoret e rëndësishme të regjionit dhe në ato pan-evropiane. Përmes kësaj linje ne dalim në Shkup dhe rrjedhimisht në portin e Selanikut”,
Rrejti hekurudhor i Kosovës shtrihet në një gjatësi prej 333 kilometra të cilat janë të pa elektrifikuar dhe me standarde njëdrejtimëshe. Linja kryesore shtrihet nga kufiri verior i Kosovës në Leshak deri në Han të Elezit. Rjeti hekurudhor është i shtrirë edhe në linjat Fushë Kosovë – Pejë, Klinë – Prizren dhe Fushë Kosovë – Prishtinë – Podujevë. Shpejtësia e trenave, për shkak të kushteve teknike në linjat aktuale, mund të zhvillohet në 50 kilometra në orë, kurse me renovimin e hekurudhave, trenat do të qarkullojnë deri në 120 kilometra në orë. Ndryshe, fillimi i shtrirjes së rrjetit hekurudhor nëpër Kosovë ka filluar në vitin 1874, ku u ndërtua linja e parë hekurudhore në relacionin Hani i Elezit – Fushë Kosovë – Mitrovicë.