Në Gjilan sot është bërë promovimi i librit “Idriz Seferi, një jetë për Shqipëri” i cili është monografi e përgatitur nga punimet shkencore të 20 studiuesve dhe punëtorëve shkencor të historisë, që është mbështetur nga kryetari i Komunës dhe është përgatitur nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” nga Gjilani.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se figura e Idriz Seferit është një mburojë gjigante e lirisë së shqiptarëve dhe emër që na obligon të punohet më shumë që ideali i shqiptarëve të jetë sipas projeksionit që heronjtë dhe të rënëve ndër breza.
“Gjilani ka tashmë shtatoren e kolosit të madh të Idriz Seferit në qendër të qytetit, i cili është një mburojë e fuqishme e lirisë së shqiptarëve. I vendosur me pamje kah lindja na lë të kuptojmë se është koha që vazhdimisht të punojmë për lirinë e shqiptarëve kudo që janë dhe bashkimin e tyre në një shtet të vetëm. Kemi dy shtete të shqiptarëve në Ballkan, por poaq jashtë këtij territori. Amaneti i dëshmorëve dhe heronjëve ishte për bashkimin e trojeve dhe duhet të gjithë shqiptarët të bashkohen për realizimin e këtij amaneti”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai më tej ka potencuar se edhe kjo festë e Flamurit Kombëtar po i gjenë shqiptarët të ndarë padrejtësisht në shumë pjesë.
“Edhe ky nëntor shqiptarët i gjen të ndarë në shumë territore dhe në dy shtete. Sot me shumë vështirësi mund të shkohet në vendlindjen e Isa Boletinit, kurse për vendlindjen e të parëve të Idriz Seferit pothuajse është e pamundur të vizitohet. Është koha që Prishtina, Tirana dhe fqinjtë tanë, ta kuptojnë se bashkimi i shqiptarëve askënd nuk e pengon dhe bashkimi është i natyrshëm herdo kur”, ka thënë ai.
Kurse, Fehmi Rexhepi, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, ka thënë se libri është me një përmbajtje të veçantë të jetës, punës, luftës dhe angazhimit të madh që ka dhënë Idriz Seferi deri në vdekje.
E Naim Musliu, kryetar LHK “Ali Hadri” në Gjilan, ka thënë se ky libër ka ardhur deri në dokumentim të tij pas simpoziumit shkencor të mbajtur në marsin e vitit 2017, ku punimet shkencore të lexuara në këtë event, sot janë të botuara në këtë libër, i cili është mundësuar të shtypet me mbështetjen financiare të Komunës së Gjilanit.
Me referimet e tyre janë paraqitur edhe Nexhmedin Sejdiu dhe Blerim Haziri, të cilët kanë përmbledhur aspektin shkencor, profesional dhe përmbajtësor të librit që sot është promovuar në kuadër të festës së flamurit kombëtar.