Në Hagë hapet qendra për procesimin e krimeve të kryera në Ukrainë

Prishtinë | 04 Kor 2023 | 08:55 | Nga Ekonomia Online

Një qendër për ndjekjen penale të krimeve të agresionit të kryera në Ukrainë, është hapur në Hagë me mbështetjen e BE-së, ShBA-së dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC).

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se qëllimi i qendrës është të sjellë para drejtësisë ata që janë përfshirë në tmerre të papërshkrueshme si dhuna seksuale, rrëmbimet e fëmijëve dhe zhvendosja e civilëve, transmeton Telegrafi.

Krijimi i Qendrës Ndërkombëtare për Ndjekjen e Krimeve të Agresionit (ICPCA) u nxit nga nevoja e perceptuar për të filluar mbledhjen e të dhënave, intervistimin e viktimave dhe ndërtimin e dosjeve përpara përfundimit të luftës.

Një grup ekspertësh dhe katër prokurorë, duke përfshirë një të dërguar nga SHBA, filluan të hënën detyrën e mbledhjes së provave dhe strategjisë së rasteve për të ndihmuar prokurorët ndërkombëtarë dhe vendas të sjellin kriminelët para drejtësisë.

Komisioneri i drejtësisë i BE-së, Didier Reynders, tha se qendra do të sigurojë që “autorët e kësaj lufte të mos mbeten të pandëshkuar”.

ICPCA, platforma e parë e këtij lloji në historinë e gjyqësorit, do të menaxhojë një ekip të përbashkët hetimor që deri më tani do të përbëhet nga ekipe të prokurorisë në Ukrainë, Lituani, Letoni, Estoni, Poloni, Sllovaki dhe Rumani.

Të ngjashme