“Dhuro Gjak për të aksidentuarit nëpër rrugët e Kosovës” është motoja e organizimit të dhurimit të gjakut të Innovation Centre Kosovo (ICK) në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut.
Drejtori i ICK-së, Uranik Begu, derisa ftoi të gjithë ata që kanë mundësi të dhurojnë gjak, tha se përmes këtij aktiviteti, përveç që beson se do ta ngritë vetëdijen për të dhënë gjak, do të ndihmohen edhe të gjithë ata që kanë pësuar aksident e kanë nevojë për gjak, raporton Ekonomia Online.
“Në vazhdën e aktiviteteve tona sigurisht edhe kemi një aksion social për t’iu përgjigjur sfidave të kohës dhe aksidentet e shumta kohëve të fundit në Kosovë kanë ngritë një shqetësim të madh edhe te popullata, edhe te kjo pjesë e aksionit ka qenë në lidhje me të që si komunitet të mundohemi të japim një kontribut për këtë pjesë”.
Begu tregoi që ky aktivitet është i hapur sot gjatë gjithë ditës.
“Besoj që është një aktivitet i mirë për të ngritë edhe vetëdijen, por edhe për të kontribuar. Aktiviteti është i hapur dhe sot gjatë gjithë ditës krejt ata që janë në Prishtinë dhe afër Prishtinës mund të vijnë në qendrën e inovacionit dhe të dhurojnë gjak”.
Shpend Lila nga ICK tha se duke pasur parasysh që nuk po mund të ndihmojnë në parandalimin e aksidenteve, të paktën të ndihmojnë për ata që janë aksidentuar, raporton EO.
“Është një prej aksioneve tradicionale të ICK-së, por gjithmonë e gjejmë nga një mesazh ose nga një moto për fushatë. Kemi dhuruar më herët për nënat që kanë pasë probleme gjatë lindjes, ndërsa duke e parë që kohëve të fundit aksidente të shumta të komunikacionit me shumë viktima me shumë të aksidentuar dhe nevojën e qendrës së transfuzionit për sa më shumë gjak, jemi organizu që me dhuru gjak për të aksidentuarit”.
“Është mirë edhe për shëndet, mos ta llogarisin si diçka që i pengon në jetën e përditshme, është mirë se gjaku pastrohet ndërsa në momentin që ti e bën disa herë natyrisht ka edhe shpërblime. Është një ndjenjë shumë e mirë kur e din që doza juaj e gjakut mundet me shpëtu, më duket deri në 4 bebe, është shumë motivuese edhe me të vërtetë është një ndjenjë shumë e mirë”.
Albana Gashi nga Qendra për Transfuzionin e Gjakut tregoi se dhurimi i gjakut është shumë i rëndësishëm për pacientët.
“Sot e kemi aksionin e grumbullimit të gjakut në Qendrën Inovative në ICK, ku këtë aksion e organizojmë çdo katër muaj në këtë qendër. E ka një mesazh të mirë për me i vetëdijësu njerëz me sa më pak aksidente. Është shumë me rëndësi për dhurimin e gjakut për pacientin, i cili ka nevojë për gjak, por edhe për dhuruesin”.