Në të kaluarën luftërat kanë pasur për qëllim zgjerimin e hapësirës ekonomike, eksploatimin si dhe plotësimin e fuqisë punëtore përmes dhunës në vendet e okupuara dhe të nënshtruara. Sot forma demokratike duke parë plakjen gjithnjë e më shumë të vendeve të zhvilluara ka ndryshuar mënyrën e veprimit, por jo edhe qëllimin përfundimtar. Tani ajo prodhon kriza të ndryshme nëpër botë për të arritur të njëjtin qëllim. Pra, përfiton ekonomikisht në shitje dhe bën biznes jo të barabartë me vendet që janë në krizë, pastaj përmes deklarimit humanitar arrin kapjen e një numri të njerëzve për të plotësuar kërkesat dhe mungesën e fuqisë punëtore.
Sot në shumicën e vendeve të zhvilluara ka një politikë deklarative liberale e respektit të barabartë, ku asimilimi zëvendësohet me fjalën integrim. Por nëse analizon në thellësi dhe me kujdes veprimin e vendeve pritëse e kupton që ekziston një politikë diskriminuese ndaj gjeneratës së dytë dhe të tretë të emigrantëve me qëllimin e vetëm për t’i shtyrë ata më shpejt drejt asimilimit. Diskriminimet tek gjenerata e parë e emigrantëve dhe atyre që punojnë punë dytësore janë pothuajse inekzistente, ose tepër të rralla.
Emigrantët do t’ua falin vendeve pritëse mishin e tyre, njeriun.
Kemi shembuj të shumtë që provojnë dhe vërtetojnë asimilimin e emigrantëve shqiptarë në vende të ndryshme. Shumë të rralla janë rastet kur ata kanë mundur ti mbijetojnë më shumë se një shekull këtij procesi. Shembulli tipik dhe i shquar për opinion është Sami Frashëri. Ky personalitet njihet si njeri me vlera kombëtare që i ka dhënë vepra dhe ide të kohës kombit të origjinës. Por në anën tjetër asimilimi i tyre ishte aq i suksesshëm sa që vendi pritës Turqia edhe sot e kësaj dite mburret me Samiun dhe pasardhësit e tij, siç ishte Ali Sami Yen. Pra Samiu i fali Turqisë vlerën më të madhe që kishte, gjenin e tij, mishin e gjallë, e ai është NJERIU. Sot pasardhësit e tij ndihen me turq se sa vet turqit autokton.
Miku im Robert Hammerlinger ka prejardhje shqiptare, ai nuk e di saktë sesi quhej fshati i tyre, por thotë se janë shpërngulur diku nga zonat e Sanxhakut të Nishit me 1881. Fshati i tyre përbëhej në atë kohë edhe nga 54 familje shqiptare të besimit ortodoks. Pasi serbët kishin një liri më të madhe nën sundimin turk, ata që t’i iknin konvertimit në islam ishin shkruar si serb, pasi të krishterët shqiptarë, si ortodoksët ashtu edhe katolikët vuanin më tepër se skllavi dhe fshati kishte edhe 23 shtëpi tjera shqiptare që ishin të besimit islam. Sipas fjalëve që kishte dëgjuar nga të parët e tij, shumica e banorëve të atyre zonave ishin konvertuar në besimin islam, megjithatë fshati i tyre kishte mundur ti shpëtonte këtij konvertimi. Komunikimi mes banorëve bëhej gjithnjë në gjuhen shqipe, edhe pse shqiptarët islam ishin të favorizuar, s’kishte asnjë problem mes besimeve. Serbët pasi që kishin dëbuar mijëra njerëz dhe djegur shumë shtëpi nga fshatrat tjera i kishin kërkuar të parit të fshatit që të përndjekin shqiptarët e besimit mysliman. Disa shqiptarë të besimit mysliman i kishin vrarë e disa tjerë i kishin shpërngulur me forcë, por fshati nuk ishte djegur, thotë Roberti.
Shqiptarëve të mbetur ortodoks i ndalohej rreptësishtë përdorimi i gjuhës shqipe. Ato dy-tri vite pas ofensivës serbe familja kishte vuajtur jashtëzakonisht, pasi as në shtëpi nuk mund ta flisnin gjuhen shqipe, sepse sanksionoheshin në forma të ndryshme, deri në vrasje. Për nga emrat ata edhe nuk dallonin shumë nga serbët, katragjyshi quhej Aleksandër Meshica, tregonte Roberti. Ashtu siç ju kishte treguar katragjyshi bisedat janë përcjellë tek gjeneratat tjera, ai thotë se në fshatin e tyre asimilimi i shqiptarëve ortodoks në serb ka përfunduar jashtëzakonisht shpejt, sepse presioni ishte tejet i madh.
I pari ynë që u shpërngul në Evropë, tregon Roberti nuk dëshironte assesi të hiqte dorë nga gjuha shqipe, të konvertohej në islam dhe të shkonte në Turqi nuk i pëlqente, hiq se hiq. Mirëpo, një historian francez që po vizitonte ato treva atë kohë, e kishte këshilluar dhe ndihmuar të ikte në Francë. Pas një periudhe të shkurt atje, ai përmes lidhjeve e kishte bërë të mundur vendosjen e tij në mbretërinë Austro-Hungareze. Katragjyshi i kishte blerë 4 hektar tokë pune në Innviertel, familja jetonte mirë. Gjuhen shqipe e flisnin çdoherë në shtëpi, pasi të gjithë anëtarët e kishin obligim nga katragjyshi dhe gjyshi përdorimin e gjuhës shqipe. Tregonte se, babai dhe nëna e tij e dinin ndonjë fjalë, por nuk flisnin shqip. Gjyshja ishte personi i fundit që fliste akoma shqip në shtëpinë e tyre.
“Nga viti 1881 (koha e shpërnguljes) e deri në vitin 1949 patëm mundësi ta ruajmë gjuhen shqipe. Të parët ikën që të mos asimilohemi në serb, edhe pse shumë ortodoks shqiptarë identifikoheshin me besimin në atë kohë, familja jonë e deshi gjuhën shqipe, por në fund megjithatë u asimilua dhe përfundoj në Austriak. Nëna ime ishte austriake, gruaja ime është austriake, sinqerisht e them edhe vetë, se asnjëherë nuk ndihem shqiptarë, nuk më lidh asgjë me atë kulturë dhe mentalitet, përpos kujtesës për prejardhjen e të parëve. Hee ore miku im, shoqëritë shumicë në të gjitha rastet përpinë emigrantët, herët ose vonë. Ti tani je si katragjyshi im, por pasardhësit tu do të bëhen si unë, jam plotësisht i bindur”, përfundon tregimin Roberti. Megjithatë gjatë bisedës disa herë e tha se emigrimi i shqiptarëve sot më këtë shifër alarmante e rrezikon kombin në gjenezë, sepse nuk është sikur tek shtetet evropiane që kanë një lloji balancimi me emigrant. “Ma thuaj se çfarë po ndodhë me ju, përderisa ne ikëm që të mos bëhemi serb, po ju pse ikni sot?”
Austria mburret me arkitektin Carl von Gegha.
Kemi edhe rastin e Carl von Geghas, lindi si një fëmijë emigranti shqiptarë në Venedik të Italisë. Ishte projektuesi i shumë veprave të mëdha arkitekture, duke bërë projekte të rrugëve, të urave dhe të tuneleve. Austria e nderon dhe respekton atë si Inxhinierin dhe Arkitektin më të mirë që kishte prej të gjitha kohërave. Është shkruar që ai ishte i pamartuar dhe nuk kishte fëmijë. Por, personat me vlerë të veçantë çdoherë proklamohen si të tyre pa marr para sysh origjinën. Pensionisti Nikolaus Wallner thotë se, ai është pasardhës i Carl von Gegha, pasi gjyshja e tij si një vajzë 24 vjeçare kur punonte si kontabiliste në tunelin e Semmeringut kishte pasur afera me arkitektin dhe me 1853 jashtë martese e kishte sjellë në jetë fëmijën e Gegës të quajtur Carla Franz Wallner.
Duke pasur parasysh qëndrimin e Gegës, u ra dakord që të heshtet për fëmijën në përputhje me konceptin moral të kohës. Fakti që vajza e re mori përkrahje financiare nga babai i fëmijës së saj është i dukshëm, kjo tregon se ai ishte babai i gjyshes sime 100% thotë pasardhësi Wallner. Ai tregon me tutje se: Kur sheh zhvillimin e saj ekonomik dhe shtimin e mëtejshëm të pasurisë, kuptohet qartë se pranë në afërsi të fëmijës së tij i ka qëndruar gjithnjë Carl von Gega.
Raste të veçanta të asimilimit nga kohërat e kaluara të një shkrimtari, arkitekti dhe bujku, na bëjnë të kuptojmë se format e tjetërsimit janë të ndryshme, por përfundimi është gjithmonë i njëjtë. Edhe sot qëllimi i shteteve mbetet gjithnjë i njëjtë, asimilimi i emigrantëve duhet të ndodhë patjetër duke shfrytëzuar dhe marr maksimumin prej tyre gjatë kësaj kohe. Përderisa në të kaluarën emigrantët hapur kanë qenë njerëz të klasës së dytë duke i skllavëruar, burgosur,… etj, derisa nuk ka përfunduar asimilimi i plotë, sot asimilimi mbështetët nga institucionet dhe nga qytetarët në forma moderne dhe mjaftë efikase.