Në Infektive janë të shtrirë 106 pacientë me Coronavirus

Prishtinë | 25 Qer 2020 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Klinika Infektive njofton se 106 pacientë të konfirmuar me COVID-19, janë duke u trajtuar në këtë klinikë.

Sipas raportit ditor, 46 raste janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, prej të cilëve 7 janë në gjendje të rëndë. Infektivja thotë se në repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 6 raste, 3 raste janë në gjendje shumë të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe 3 raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respiratorë.

E në objektin e mjekësisë sportive janë 3 raste me COVID-19. Infektivja thotë se 1 person është i intubuar dhe 2 me CPAP, kurse edhe 2 të tjerë do të transferohen nga Klinika Infektive.

Në Klinikën e Pulmologjisë dhe Dermatologjisë janë të shtrirë 23 pacientë të dyshuar me Covid-19. 3 pacientë të tjerë të konfirmuar pozitiv në Covid-19, janë transferuar në Klinikën Infektive.

Sot ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, paralajmëroi mundësinë e fillimit të testimeve masive për koronavirusin e ri. Ai tha se institucionet janë duke e vlerësuar situatën me pandeminë dhe se janë duke punuar në një strategji anti-COVID-19.

“Jemi duke e vlerësuar situatën që të kalojmë edhe në testime masive. Ne kemi formuar edhe grup ekspertesh brenda ministrisë i cili do të adresohet shumë shpejt me rekomandime të qarta edhe për testimet dhe për strategjinë e re anti-covid 19′, tha Zemaj pas takimit me kryetarin Shpend Ahmeti në Komunën e Prishtinës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme