Doktoresha e Klinikës Infektive, Vera Berisha-Ndrejaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kanë filluar trajtimin e pacientëve me plazmën konvaleshentë, duke theksuar se ende nuk ka ndonjë përgjigje për suksesin e mundshëm ose jo.
Sipas saj, nuk ka pasur pacientë me variante të tjera të Covidit, ani pse ka pasur disa rastet të mostrave e që janë testuar jashtë vendit.
“Ne kemi filluar të trajtojmë pacientët edhe me plazmën konvaleshentë. Ende nuk kemi një rezyme apo përgjigje për suksesin e saj, por sigurisht që është një e mirë që është futur në terapi për trajtimin e pacientëve me Covid-19″.
“Për momentin nuk kemi të vërtetuar pacientë me variantet të tjera të Covidit edhe pse kemi pasur disa raste mostrat e të cilëve janë testuar jashtë vendit”.
Ajo theksoi se ka pasur persona të infektuar nga dy herë me Covid-19 në gjendje më të rënduar, duke shtuar se moshat më të atakuar me virusin janë mesatare.
“Kemi pasur raste te infektuarve nga dy herë, por që klinika mund të variojnë. Nëse hera e parë ka qenë me një klinikë më të lehtë hera e dytë mund të jetë me gjendje më të rënduar dhe e kundërta”.
“Varësisht prej imunitetit të vetë pacientit dhe sesa fuqi ka që ta luftojë virusin. Moshat më të atakuar me virusin janë mosha mesatare”.
Ndërkohë ajo tha se për mbyllje vendimet merren nga ana e Qeverisë dhe IKShPK-ja, raporton EO.
“Ne po trajtojmë pacientë dhe po spitalizojmë pacientë të cilët janë në gjendje të rëndë dhe po mundohemi t’i trajtojmë me të gjitha kapacitete njerëzore”.
“…për mbyllje sigurisht që merren vendime nga ana e Qeverisë dhe IKShPK-ja. Ndërkohë që vazhdon apeli i përsëritur për ruajtje për mbajtje të distancës dhe mbajtjen e maskave”.