Një helikopter me të cilin po udhëtonte presidenti iranian, Ebrahim Raisi, dhe ministri i tij i jashtëm bëri një ulje të detyruar dhe të “fortë” të dielën.
Agjencitë iraniane të lajmeve thanë se helikopteri po fluturonte mbi një zonë malore me mjegull të dendur. Raisi po kthehej nga një vizitë në Azerbajxhan.
Moti i keq po ndërlikon përpjekjet e shpëtimit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.
Agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve, Fars, u bëri thirrje iranianëve që të luten për Raisin ndërsa në televizionin shtetëror u transmetuan lutje.
Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA tha se në helikopter po udhëtonin Presidenti Raisi, Ministri i Jashtëm, Hossein Amirabdollahian, dhe zyrtarë lokalë.
Ministri i Brendshëm, Ahmed Vahidi, i tha televizionit shtetëror se një prej tre helikopterëve kishte bërë një ulje të dhunshme dhe se autoritetet po prisnin detaje të mëtejshme.
63-vjeçari Raisi u zgjodh në postin e presidentit në vitin 2021 pas një përpjekje të dytë. Që nga marrja e detyrës, ai ka urdhëruar një shtrëngim të ligjeve të moralit dhe shtypjen e përgjakshme të protestave antiqeveritare. Ai ka bërë përpjekje të forta në rrafshin ndërkombëtar lidhur me aspiratat bërthamore të Teheranit.
Në bazë të sistemit politik iranian, i ndarë mes strukturës klerike dhe qeverisë, fjala e fundit për çështje madhore i takon udhëheqësit suprem të vendit dhe jo presidentit.
Por Presidenti Raisi shihet si një pretendent i fortë për të pasuar mentorin e tij, Udhëheqësin Suprem Ayatollah Ali Khamenei, i cili ka mbështetur fuqishëm politikat kryesore të Raisit. (VoA)