Ismaili: Në janar vijnë ekspertët gjermanë në Kosovë për sigurimet shëndetësore

Prishtinë | 18 Dhj 2019 | 14:01 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka pranuar një letër zyrtare nga homologu i tij gjerman, Jens Spahn, raporton Ekonomia Online.

Përmes kësaj letre, ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn, konfirmoi gatishmërinë e shtetit gjerman për ndihmë ndaj Kosovës në krijimin e sigurimeve shëndetësore.

 “Bashkëpunimi në mes të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës dhe Fondit të Sigurimit Gjerman, AOK, i cili do të nis menjëherë në janar të vitit 2020, është një rezultat konkret i një memorandumi të përbashkët të mirëkuptimit që u nënshkrua në korrik të këtij viti”, thuhet në letrën e tij.

Gjatë një konferencë për medie të mbajtur sot nga Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, Ministri Ismaili ka thënë se kjo marrëveshje bashkëpunimi është një hap i madh drejt realizimit të sigurimeve shëndetësore.

 “Një ditë jashtëzakonisht e mirë dhe e rëndësishme për shëndetësinë kosovare. Tani po nisim bashkëpunimin konkret me Gjermaninë për të funksionalizuar Fondin e Sigurimit Shëndetësor, projekt  ky që buron nga marrëveshja e nënshkruar në korrik me ministrin gjerman Spahn”, ka thënë ministri Ismaili.

“Përveç investimeve në sektorin e shëndetësisë, fokusi ynë ka qenë në sigurimin shëndetësor. Ne e dimë sa të rëndësishme janë sigurimet shëndetësore dhe këtë po e bëjmë përmes ekspertizave gjermane e cila do të filloj nga janari i vitit të ardhshëm. Ka qenë e vështirë sepse ne kemi kërkuar ekspertë që janë praktikues në mënyrë që ekspertiza të jetë praktike sepse neve na nevojitet që të fillojë sigurimi shëndetësor. Vitit i ardhshëm është viti kur do të fillojnë edhe sigurimet shëndetësore”.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, tha se kjo ditë është e rëndësishme për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore.

“Sot kemi një ditë të mirë për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore. Ky nivel është një nga hapat e nënshkrimit mes ministrit Ismaili dhe atij gjerman Jens Spahn, pra është për të ndërtuar hapat në këtë drejtim. Gjermania është themeluese e skemave sociale duke përfshirë edhe ato të sigurimeve shëndetësore. Duke njohur kapacitetet e tyre do të ndikojë në funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore. Kjo gjë do të bëhet siç e tha ministri në janar, por kërkon kohë dhe punë”, tha ai, raporton EO.

Sipas Ministrit Ismaili projekti do të ndahet në dy faza, e para nga të cilat do të fillojë në janar të vitit 2020.

Të ngjashme