Në pikëkalimin në Jarinje mëngjesin e së shtunës po zhvillohet pa ndonjë problem qarkullimi i veturave, përfshirë ato me targa të Kosovës, ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani. Pikëkalimet në Merdar dhe Bërnjak janë ende të bllokuara nga ana e Serbisë.
Bllokimi i pikëkalimeve nisi dje (e premte) në mbrëmje. Në Jarinje, u bllokuan vetëm personat me dokumente të Kosovës.
“Në mëngjesin e sotëm në pikën kufitare në Jarinje, është duke u zhvilluar pa problem qarkullimi i automjeteve në të dyja anët e kufirit edhe të automjeteve me targa serbe dhe atyre me targa të Kosovës”, ka thënë Elshani.
Bllokada ishte paralajmëruar nga “Këshilli për Bllokada i Serbisë” pasi Policia e Kosovës mbylli 5 zyra të strukturave paralele në veri me dyshimet për falsifikim me dokumente.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar reagim nga ndërkombëtarët për bllokadat. Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrin masa ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë”, ka shkruar Gërvalla në Twitter mbrëmjen e së premtes.