Në hapje të “Javës Globale të Ndërmarrësisë 2017”, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar rëndësinë që Kosova të ecën drejt konsolidimit të shtetit ligjor.
Duke vlerësuar përparimin e ecjes së sipërmarrësve të ndryshëm, kryeministri Haradinaj tha se sot kur Qeveria bashkohet në Javën Globale të Ndërmarrësisë, Kosova po ndjen nevojën të zërë trendët e botës. Për këtë, kryeministri ka falënderuar Qendrën Kosovare për Inovacion, që nuk po e lë Kosovën të mbesë mbrapa këtyre zhvillimeve globale.
“Njerëzit në Kosovë janë ndërmarrës në shpirt, kanë guxim dhe vizion, por edhe ide, të cilat në shumicën e rasteve gjejnë rrugën për realizim”, u shpreh kryeministri.
Duke theksuar rëndësinë e partneritetit për ata të cilët nisin hapat e parë në ndërmarrësi, Haradinaj tha se Qeveria do të jetë më pranë në ecjen e tyre, duke iu gëzuar faktit që tryeza e organizuar po ndodhë nën ombrellën e Qeverisë.
“Ekzekutivi i vendit ka plot mundësi dhe ka plot situata që mundet me qenë me ju. Detyrë jona e përbashkët do të jetë që shpirtin tuaj ndërmarrës, idetë tuaja, mënyrën si ju e keni gjet një nisje, mundësisht të jemi edhe ne me ju, në momentin kur ai është i nevojshëm”, theksoi kryeministri, duke shtuar se ekzekutivi i një vendi të vogël, siç është Kosova, do të duhet të jetë afër secilit në atë ditë të nisjes.
Kryeministri Haradinaj siguroi të gjithë ndërmarrësit se do ta kenë një partner te Qeveria e Kosovës.
Delawie: Zbardheni korrupsionin, jo favoreve të pamerituara
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha se Kosova ka nevojë për biznese të mbështetura nga sundimi i ligjit.
Duke folur në këtë aktivitet që po zhvillohet nën patronazhin e kryeministrit Ramush Haradinaj, Delawie tha se korrupsioni është ende problem dhe inkurajoi dhe qytetarët të raportojnë dhe ndihmojnë zbardhjen e rasteve të korrupsionit, raporton Ekonomia Online.
“Ne kemi nevojë për një biznes të mbështetur nga sundimi i ligjit. Korrupsioni është ende problem dhe inkurajojmë qytetarët për zbardhjen e korrupsionit. Shumë fusha që po e zbehin biznesin afarist të Kosovës ende duhet të luftohen. Zbardheni korrupsionin, ikjuni favoreve të pamerituara”, u shpreh Delawie.
“Ne duhet të rrisim vendet e reja të punës për komunitetet dhe gratë”, tha ambasadori amerikan.
Ndër të tjera, Delawie komentoi punën e Qeverisë për hapjen e bizneseve.
“Me rëndësi është përmirësimi i jetës së njerëzve dhe kjo ka të bëjë me qeveri të përgjegjshme. Vitet e kaluara, Qeveria e Kosovës ka marrë hapa për të nxitur të rinjtë për mbijetesë dhe hapjen e bizneseve të reja siç është Fondi për Garantimin e Kredive dhe reforma e mjedisit të biznesit, që inkurajon bizneset e reja’’, tha ndër të tjera ambasadori Delawie.
Drejtori i Qendrës Inovative në Kosovë, Uranik Begu, tha se përmes këtyre aktiviteteve është krijuar një aleancë për fuqizimin e ndërmarrësisë në vend.
“Java Globale e Ndërmarrësisë sot ka një numër rekord partnerësh rreth 40 që përgjatë javës do të bëjnë aktivitete që të inspirojnë të rinjtë dhe të rejat për ndërmarrësinë. Sot ky ‘network; operon në 170 shtete për të ndihmuar ndërmarrësit kudo që nisin një biznes të ri”.
“Ne në Kosovë kemi arritur të kemi një aleancë më të fortë dhe në rritje për të fuqizuar ndërmarrësinë në vend. Sot jemi bashkuar për t’i dhënë mbështetje të fortë institucionale ndërmarrësisë në vend. Ky entuziazëm duhet të konkretizohet me ndërmarrje të reja inovative të cilat do të jenë bartëse të zhvillimit ekonomik’’, u shpreh Begu.
Ndërsa, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se aktivitetet që ndodhin gjatë kësaj jave janë shumë me rëndësi.
Ai theksoi rëndësinë që të punohet në krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e bilancit tregtar në vend.
“Uroj që jehona e këtyre aktiviteteve të vazhdoj edhe në javët në vijim. Roli i qeverisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe shteti duhet të garantoj dhe siguroj liritë e lëvizjes së të rinjve në mënyrë që të gjenerojnë ide”, tha Zeka.
Beqaj: Mbi 9.5 milionë euro do të ndahen gjatë vitit të ardhshëm për inovacionet dhe ndërmarrjet
Në Prishtinë është hapur Konferenca Globale për Ndërmarrësi 2017. Në hapje të kësaj konference kanë marrë pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, Ambasadori i ShBA-së në Kosovë Greg Delawie, ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, përfaqësues të Odës Amerikane të Biznesit dhe përfaqësues të institucioneve të tjera, si dhe përfaqësues të ndërmarrjeve dhe inovatorë.
Në hapje të kësaj konference, në panelin diskutues mori pjesë edhe ministri i Inovacionit dhe Ndëmarrësisë, Besim Beqaj, i cili në fjalën e tij shprehu përkushtimin e ministrisë që drejton në përkrahje të inovacioneve në ekonomi dhe ndërmarrësve kosovarë.
“Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në buxhetin e vitit 2018 i ka të planifikuar mbi 10 milionë euro, nga të cilat mbi 9.5 milionë do të ndahen për inovacionet dhe ndërmarrjet”, tha Beqaj.
Ai më tej ka theksuar se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, me qëllim të përkrahjes së ndërmarrjeve do të themeloi 4 qendra të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë; në Prizren, Prishtinë, Mitrovicë dhe në Pejë.
Beqaj ka sqaruar se fondi për Inovacion dhe Ndërmarrësi do t’i ketë tri shtylla: Edukimin; ku përfshihet edhe bashkëpunimi me institucionet e arsimit të lartë në Kosovë; Infrastruktura ligjore dhe fizike; ku përfshihet hartimi i bazës ligjore dhe themelimi i qendrave të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, dhe Përkrahja direkte e inovatorëve dhe ndërmarrësve.
Konferenca Globale e Ndërmarrësisë po mbahet këtë vit nën patronatin e Kryeministrit Haradinaj dhe do të zgjasë nga 13 deri më 19 nëntor.
Kjo Konferencë organizohet nga Qendra Inovative e Kosovës mbështetur nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, GIZ, USAID-i dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë.