Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe akterët relevantë, në dy hidrocentrale të rajonit të Ferizajt do të bëjnë ndërprerjen dhe orientimin e rrjedhjes së ujit drejt kanaleve të ujitjes në disa fshatra të rajonit të Kaçanikut, me qëllim të uljes/zvogëlimit të nivelit të ujit drejt lumit Lepenc, në mënyrë që të lehtësohet kërkimi i dy zyrtarëve policorë.
Fshatrat e rajonit të Kaçanikut nëpër të cilat pritet të kalojë uji në kanalet e ujitjes janë: fshati Doganaj, Sopanicë, Tushaj, Dubravë dhe Nikaj.
“Përmes këtij njoftimi zyrtar dëshirojmë t’i lajmërojmë të gjithë banorët e këtyre fshatrave që të jenë të njoftuar mbi fillimin e qarkullimit të ujit në kanalet e ujitjes dhe njëherit të kenë kujdes të shtuar rreth qarkullimit të banorëve, në veçanti fëmijëve dhe mjeteve të transportit rrugor në afërsi të tyre. Njëkohësisht i falënderojmë të gjitha institucionet, njësitet, qytetarët dhe zyrtarët policorë që janë duke vazhduar me angazhimin e palodhshëm drejt kërkimit të dy zyrtarëve policorë, si dhe njëherit kërkojmë mirëkuptimin e banorëve të fshatrave të lartpërmendura” thuhet në komunikatën e dërguar nga Policia e Kosovës.
Një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës, në të cilën ndodheshin dy zyrtarë policorë, për shkaqe ende të panjohura kishte humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke rënë nga një lartësi në rrjedhën e lumit Lepenc të shtunën që shkoi. Nga të gjitha institucionet dhe njësitet prezentë ende për të pestën ditë me radhë po vazhdojnë angazhimet intensive drejt kërkimit të dy zyrtarëve policorë.