Tash e tri ditë nxënësit e Republikës së Kosovës i kanë “sy e vesh” nga Qeveria në detyrë.
Siç duket pritja e tyre për lajmin se a do të ketë pushim javën e ardhshme do të merr fund pas orës 15:00.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka njoftuar se Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19, do mblidhet ditën e sotme në orën 15:00, ku pritet të merret vendimi për pushimin pranveror dhe të rishikohen masat në fuqi.
Hoti ka shkruar se janë takuar me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadanin, ministrin në detyrë të Arsimit, Ramë Likaj, përfaqësues të SBASHK-ut dhe të Këshillit të Prindërve.
Ditë më parë është paralajmëruar që të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë do kenë pushim njëjavor ku më pas do vendosej nëse procesi mësimor do kalojë në online. Kjo po bëhet për shkak të rasteve të shumta pozitive me COVID-19 në ditët e fundit në vend.