Në vatrën e koronavirusit, Kinë, të mërkurën janë shënuar vetëm 15 raste.
Ky është numri më i vogël i rasteve që prej janarit kur shpërtheu ky virus i njohur si Covid-19, në provincën Hubei. Një ditë më parë, të martën, ishin raportuar 24 raste të reja me kornavirus.
Ndërkohë, të mërkurën vdiqën 11 persona shkaku i virusit, duke rritur numrin e përgjithshëm në 3.169. Numri i të infektuarve në Kinë deri të mërkurën mbrëma, është 80.793.
E derisa në Kinë po shënohen përmirësime, në vendet tjera të botës ka përshkallëzim të situatës. Kjo ka shtyrë të mërkurën Organizatën Botëore të Shëndetësisë ta shpallë këtë virus si pandemi.
Situatë e rëndë raportohet në Itali. Italia tashmë është e tëra në karantinë. Kryeministri Giuseppe Conte, të mërkurën mbrëma vendosi që të mbyllen edhe restoranet, klubet e natës dhe kafenetë. Po ashtu janë mbyllur edhe qendrat tregtare ku produktet ushqimore nuk paraqesinë tregtinë bazë.
Deri më tash në Itali janë konfirmuar mbi 12 mijë të infektuar dhe 827 të vdekur.
SHBA-ja ndërkohë ka anuluar të gjithë udhëtimet nga Evropa, me përjashtim nga Britania e Madhe. Ndeshjet në NBA po ashtu janë anuluar deri në një vendim të dytë.