Në Komunën e Klinës dhe atë të Istogut kohën e fundit është shtuar interesimi i personave të rritur, kryesisht të komunitetit RAE, për ta përfunduar shkollimin fillor, të cilin e kanë braktisur vite më parë apo që nuk e kanë regjistruar fare. Ky interesim dhe këto kërkesa të shtuara të qytetarëve minoritarë të këtyre komuniteteve është duke u identifikuar sidomos gjatë fushatave avokuese, që po zhvillohen nga OJQ “Syri i Vizionit”, me projektin për fushën e arsimit, të financuar nga organizata gjermane GIZ.
Ilir Beqiraj, menaxher i projektit nga “Syri i Vizionit”, tregoi se qëllimi i projektit është që fëmijët e komuniteteve RAE për t’i integruar në arsimin fillor, me theks të veçantë të fëmijëve të kthyer nga jashtë ose të riatdhesuar në Komunën e Pejës, Klinës dhe Istogut. Sipas tij, më e theksuar është nevoja në Komunën e Klinës dhe Istogut, ku siç shtoi ai, ka më shumë të rinj e të rritur që kanë mbetur mbrapa me arsimim fillor, por edhe me të mesëm, shkruan sot Koha Ditore.
Fushatat që po zhvillohen për avokim, sipas tij, fillimisht kanë qenë të përqendruara kryesisht te fëmijët. Sipas tij, është arritur që në Klinë t’i kthejnë në bankat fillore 15 fëmijë dhe dhjetëra të tjerë janë integruar më mirë në sistemin arsimor. Por gjatë mbajtjes së takimeve në kuadër të kësaj fushate avokuese gjatë muajit maj, me këto komunitete, siç tha Beqiraj, janë shfaqur edhe kërkesat prej të rriturve për arsimim.