Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, ka bërë të ditur për Ekonomia Online se në këtë klinikë janë duke u trajtuar 11 pacientë, prej të cilëve dy në gjendje më të rëndë.
Ndërkohë, fëmijët të infektuar me Covid-19 janë duke u trajtuar në Klinikën e Pediatrisë.
Vishaj sqaroi se zyrtarisht nuk kanë të infektuar me variantin Omicron, por supozohet se rreth 70% e të infektuarve në Kosovë janë me Omicron.
“Për momentin në Klinikën Infektive i kemi duke i trajtuar 11 pacientë. Prej tyre dy janë në mjekimin intenziv të cilët janë në gjendje të rëndë kritike. Nga këta pacientë dy janë të vaksinuar me dy doza dhe janë duke manifestuar një formë klinike më të lehtë, ndërsa ata që janë të pavaksinuar janë duke manifestuar formë klinike më të rëndë”.
“Pacientët që janë të moshave pediatrike janë duke u trajtuar në Klinikë të Pediatrisë”.
“Ne i dërgojmë mostrat te IKShPK-ja pastaj ata varësisht nga situata epidemiologjike i analizojë dhe ritestojnë mos ndonjëri prej tyre është me Omicron. Ne aktualisht nuk kemi pacientë që është i diagnostikuar me Omicron. Na është raportuar që Omicron është duke qarkulluar dhe 60 deri 70 % janë të infektuar me Omicron”.
Ai më tej ka sqaruar se kanë kapacitete të mjaftueshme që të përballojnë fluks të të infektuarve, përderisa ka bërë thirrje për vaksinim, raporton EO.
Klinika Infektive ka kapacitete mjaftueshëm për të menaxhuar situatën me virus, por apelon te qytetarët që sa më shumë të vaksinohen.
“Edhe përkundër që kemi rritje enorme të infektuarve nuk kemi vërshim të pacientëve që kërkojnë trajtim në klinikë. Klinika Infektive i ka kapacitet të cilat i ka pasur më përpara por duhet ta rrisim vetëdijen e qytetarëve që të vaksinohen”.