Pa votat e opozitës, komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka votuar Raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Deputetët e opozitës thanë se Projektligji për ndarjet buxhetore nuk i plotëson kushtet e qytetarëve dhe si i tillë nuk do të votohet nga ta.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se nëse Qeveria reflekton sa i përket Ligjit të pagave do ta votojnë buxhetin.
“Ne nuk do t’i votojmë këto amendamente dhe është qëndrim i PDK-së, kështu që nëse reflekton Qeveria me Ligjin për paga atëherë do të kemi qëndrim tjetër”, tha ai.
Deputeti i AAK-së Besnik Tahiri tha se amendamenti i tij Zonën ekonomike të Podujevës është larguar, ndërsa këtë e quajti mashtrim.
“Në amendamentin ku bëhet fjalë për Zonën ekonomike të Podujevës, amendament të cilin unë e kam paraqit e kemi kërkuar buxhetin prej 500 mijë eurosh dhe këtu e shoh se loja dhe mashtrimi që qenka bërë, e që qenkan vendosur vetëm 200 mijë euro dhe tre deputetë të pozitës më thanë se kaloi amendamenti yt. Ky amendament është mashtrim ose mosdije”, tha Tahiri.
Ndërsa anëtari tjetër nga VV-ja, Diman Basha, tha se këto 200 mijë euro janë vetëm për vitin 2022 dhe për vitin 2023 dhe 2024 priten të shtohen mjete tjera.
Këto amendamente kaluan me 5 vota pro, katër kundër dhe asnjë abstenim.