Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione kanë mbajtur takim me komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shqipëri, Robert Gajda.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shqipëri, Robert Gajda, njoftoi komisionin për punën që bën derisa u shpreh i hapur për shkëmbim të ideve, raporton Ekonomia Online.
“Krahas Avokatit të Popullit, Shqipëria ka edhe dy komisionerë. Ata zgjidhen nga kuvendi dhe nuk emitohen vetëm në dhënien e rekomandimeve, por edhe për marrjen e vendimeve. Zyra e komisionit ka trajtuar 217 çështje për diskriminim ku elementi bazë i diskriminimit është shkaktari racë. Si grup i dytë janë personat me aftësi të kufizuar. Edhe fëmijët me aftësi të kufizuar janë cak i diskriminimit. Në Shqipëri është e rregulluar me ligj që këta fëmijë të kenë një kujdestar”.
“Diskriminim kanë edhe me personat LGBT. Zakonisht kuvendi merr rekomandime për aktet ligjore që kanë të bëjnë me diskriminim. Byroja e komisionerit nuk shtrihet vetëm në administratën publike, por edhe në privat”.
“Kemi ligje për të drejta të caktuara sepse nuk mund të kemi një ligj të përbashkët sepse do të ngjasonte me deklaratë”, sqaroi Gajda.
Zëvendëskryetarja e komisionit, Lirije Kajtazi, u shpreh e interesuar për funksionimin e ligjeve lidhur me diskriminimin, ndërkaq tha se ky takim ka ardhur në kohën e duhur kur po bëhet ligji për diskriminim.